Ish-deputetja Floida Kërpaçi në emër të LSI ka depozituar kallëzimin penal për tjetërsimin e truallit të shkollës ”Sami Frashëri”.

Disa ditë më parë Monika Kryemadhi e denoncoi me dokumenta, teksa sot duket se LSI e ka konkretizuar me një kallëzim.

Kërpaçi i bën thirrje Prokurorisë të zbulojë se kush ka ndërhyrë në kartelën e pronësisë të shkollës si dhe cili ka qenë synimi.
Po ashtu ajo paralajmëron se njësoj si ky rast do veprohet dhe për Kombinatin, Durrësin e Shijakun.

FJALA E FLOIDA KËRPAÇIT
Përshëndetje!
Kemi ardhur te Prokuroria  e  Tiranës ku sapo depozituam një kallëzim për çështjen e truallit të shkollës ‘Sami Frashëri’. Dokumentat që ne disponojmë vërtetojnë akuzën e bërë disa ditë më parë nga Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim,. Monika Kryemadhi.
Dokumentat që ne kemi tregojnë që me kartelat e pronësisë së truallit të shkollës ‘Sami Frashëri’ është ndërhyrë disa herë  duke ndryshuar pronësinë nga shteti në  listë bashkëpronarësh dhe anasjelltas.
Ne jemi këtu për t’i kërkuar Prokurorisë së Tiranës të zbulojë kush ka ndërhyrë në kartelën e pronësisë të kësaj prone publike dhe cili ka qenë synimi i personave që kanë ndërhyrë.
Të jetë e qartë për të gjithë që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të ndalet së thëni të vërtetën.
Siç shpëtuam shkollën ‘Sami Frashëri’ dhe do t’i shkojmë deri në fund që të mos lejojmë tjetërsimin e kësaj prone, po ashtu do të jemi në krah të qytetarëve të Kombinatit, të Durrësit ,të Shijakut e të gjithë Shqipërisë  për të mos lejuar që qytetarët të jenë viktima të qeverisë së fasadave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb