TIRANË- LSI dhe PDIU kanë pranuar rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, një propozim ky i bashkisë.

Këshilltarët e LSI dhe PDIU nga të cilët varet edhe vendimi përfundimtar janë shprehur pro në mbledhjen e këshillit bashkiak, me disa kushte të vogla që janë pranuar edhe nga kreu i Bashkisë Erion Veliaj. Në mbledhje janë të pranishëm 31 këshilltarë, 25 të PS-së, 3 të PDIU-së, 2 të LSI-së dhe 1 i FRD, çka garanton kuorumin për të votuar vendimin.

Këshilltarja e PDIU-së Vjollca Braho tha në emër të grupit të PDIU se është dakord për rritjen e çmimit.

“Jemi dakord për të miratuar rritjen e çmimit të ujit. Të bëhen përjashtime për disa kategori. Propozojmë prerjen e lidhjeve të paligjshme”, tha Braho.

Ndërsa kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Bashkia do rimbursojë çmimin e ujit për disa familje.

“Pranoj në bllok propozimet e PDIU-së. Bashkia do rimbursojë çmimin e ujit për disa familje. Te ERU do çojmë plan biznesin dhe propozimet e këshilltarëve”, u shpreh Veliaj.

Ndërkaq edhe këshilltarët e LSI deklaruan se ka nevojë për investime dhe se rritja e çmimit të ujit të pijshëm në këtë përqindje nuk është problem.

“Investimi është i domosdoshëm sepse tubacionet e ujësjellësit janë të amortizuara. Ka 50 vite që nuk ndërrohet një tub. Nderpriten lidhjet në paligjshme nga teknologjia. Jam i qartë në detajimin e investimit dhe mendoj se nuk është problem rritja e çmimit të ujit në këtë përqindje. Kolegët e mi paraqitën një kërkesë për familjet në nevojë për prodhimet e shportës të cilat u morën parasysh unë jam dakord me vendimin”, deklaroi këshilltari i LSI, Kraja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb