TIRANË

LSI dorëzoi sot në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve anëtarët e saj për KZAZ, në zgjedhjet e 25 prillit. Në një prononcim për mediat, sekretati i përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari u shpreh se LSI-ja përmbushi detyrimin e saj ligjor për të dorëzuar anëtarët e KZAAZ-ve

“Në fakt sot LSI-ja përmbushi detyrimin e saj ligjor për të dorëzuar anëtarët e KZAAZ-ve. Sot kemi dorëzuar 92 anëtarë të KZAZ-ve, një detyrim ligjor për zgjedhjet e 25 prillit. Në fakt LSI-ja si një forcë përgjegjëse, serioze, e mirë organizuar i ka dorëzuar 4 ditë më para se të përfundojë ky afat. Kjo tregon edhe njëherë se jemi një forcë politike e organizuar dhe serioze, kjo tregon edhe njëherë se zgjedhjet e 25 prillit janë zgjedhje shumë të rëndësishme për shqiptarët. Janë zgjedhje ku njëherë e përgjithmonë Shqipëria do të votojë kundër keqqeverisjes. Do të votojë kundër kësaj keqqeverisjeje që ka marrë peng vendin. Do votojë kundër Rilindjes që ka marrë peng vendin, që largoi të rinj e të reja nga vendi, kundër Rilindjes që e varfëroi në ekstrem Shqipërinë. Zgjedhjet e 25 prillit janë zgjedhjet për të pasur një mundësi më shumë, një shpresë më të madhe për të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi.

Zgjedhjet e 25 prillit janë beteja jonë historike për të krijuar mundësi punësimi për të rinjtë dhe të rejat, për të hapur vende të reja pune dhe për të kthyer shpresën tek të rinjtë. Duhet të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga një politike e vjetër klienteliste, e cila nuk mendon për hallet e qytetarëve, e cila nuk mendon për të hapur vende të reja pune, por mendon si të mbushin xhepat e tyre personal dhe ky është shembulli më i keq që rilindja sot ka sjellë në Shqipëri.” tha Braimllari, ndërsa komentoi edhe propozimin e LSI për projektin pilot mbi numërimin dhe votimin elektronik, që ashtu si PD, kërkon të kryehet në qarqet Fier e Korçë.

“Patjetër që ka një dakordësim me Partinë Demokratike, por edhe me frontin e bashkuar opozitar. Jemi në një dakordësim për të bërë këtë implementim dhe mendoj që do të jetë një proces i rëndësishëm, të cilin opozita vetë e ka kërkuar. Pra është kërkesa e opozitës për të pasur një proces të tillë. Ajo çka dua të them me bindje të plotë, është që 25 prilli është një ditë shprese për shqiptarët, sepse njëherë e përgjithmonë do të ndahemi nga ajo klasë politike, e cila ka varfëruar vendin. Të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë do të marrin pjesë masivisht, do të votojnë dhe kam bindjen maksimale që LSI është dhe do të jetë forca e rininë, është dhe do të jetë forca e shpresës, është dhe do të jetë forca që do të punojë për të hapur vende të reja pune.” -u shpreh Braimllari për mediat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb