Lëvizja Socialiste për Integrim fitoi dje, 9 nga 15 bashkitë ku ajo u përfaqësua me kandidatët e përzgjedhur prej saj dhe që kandiduan nën siglën e koalicionit të përbashkët, “ASHE”. Por pritet sipas burimeve një rezultat surprizë në numrin e votave që LSI do të marrë si subjekt politik dhe numrin e këshilltarëve.

Në këtë listë të 15 bashkive, LSI humbi 6 prej tyre, ndër të cilat ato që bien në sy janë Bashkia e Lezhës, ku rikandidoi Viktor Tushaj. 40 vota më tepër janë gjetur në një kuti votimi në një qendër të numërimit të votave në Lezhë. Denoncimin e ka bërë deputetja e këtij qarku, Monika Kryemadhi. Kryemadhi pohoi se do të dorëzojë në prokurori një padi ndaj 7 komisionerëve të kësaj qendre votimi, ndërsa theksoi se nuk do ndalet, qofshin ata të LSI-PS-PD.

“Në kutinë 720 të Komunës Kolsh janë gjetur 40 fletë votimi mbi numrin e njerëzve që kanë marrë pjesë në votime. Sigurisht që kjo që ka ndodhur është një gjë shumë e rëndë, është një cenim i procesit zgjedhor. Është një deformim i votës së qytetarëve. Dua t’ju njoftoj që ne do të bëjmë padi në prokurori për të 7 komisionerët, të PS, të LSI apo të PD dhe i ftoj edhe kolegët e PD-së që ta bëjnë edhe ata të njëjtën gjë. Sepse mendoj se ne duhet t’i japim fund procesit të deformimit të votës që i bëjmë qytetarëve. Unë po e ndjek numërimin nga zyra e shtabit, e cila funksionon edhe përmes një softueri ku hedhim të dhënat edhe nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejt me KZAZ-të, qendrat dhe me organet e drejtësisë. Stafi do të bëjë denoncimin në prokurori, sepse sot është ditë e hënë dhe normalisht të gjitha zyrat janë të hapura. Mendoj se duhen bërë disa shembuj të mirë që të marrë fund një herë e përgjithmonë cenimi i procesit të votimit. Nuk kam dyshimin më të vogël që do t’i shkojmë deri në fund dhe mendoj se ka ardhur koha që shqiptarët të jenë të vetëdijshëm dhe evropianë edhe në këtë proces zgjedhor, jo vetëm në të veshur. Tension nuk ka pasur. Surpriza ka pasur me thënë të drejtën, por surprizat po fillojnë të verifikohen se çfarë ka ndodhur”, tha Kryemadhi.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: