TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim duket se i ka hapur “luftë” në shumë fronte Partisë Socialiste. E kjo për shkak se pas Ministrisë së Brendshme, kritikat e saj janë fokusuar tek një tjetër dikaster i drejtuar nga PS-ja, Ministria e Arsimit.

E pranishme në një takim të Lëvizjes Rinore për Integrim me maturantë të qytetit të Lezhës, deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi, njëherazi bashkëshortja e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, kërkoi publikisht të mos përsëriten gabimet e vitit të kaluar me maturën shtetërore.

Kryemadhi nënvizoi rëndësinë që ka matura shtetërore për gjimnazistët pasi gabimet në procesin e Maturës Shtetërore cenojnë të ardhmen e të rinjve.

“Unë urojë që matura shtetërore e këtij viti të jetë ajo çka ne presim të jetë sepse po cenove ëndrrat edhe shpresat e një maturanti, të një të riu, për të ardhmen, ke cenuar shpresat dhe të ardhmet e një vendi. Ju asnjëherë nuk duhet të bëni kompromis përsa i përket dijeve tuaja. Besoj tek forca, te besimi dhe tek vullneti dhe tek dëshira e juaj për ta ndryshuar këtë gjë”,- u shpreh deputetja e LSI-së përpara gjimnazistëve të Lezhës.

Kryemadhi Lezhe (6)

Lidhur me Maturën Shtetërore diskutoi edhe zëvendësministrja e Arsimit dhe e Sportit, Nora Malaj e cila u shpreh se Ministria e Arsimit po punon për Maturën Shtetërore dhe për përmirësimin e problematikave që lindën një vit për parë. “Ne jemi në fazën ku Ministria e Arsimit që po punon fort që gabimet e vjetshme dhe problematikat e vjetrat të cilat u mbartën vjet në kuadër të mos transparencës së plotë në kohë të maturës, në kuadër të mos informimit të plotë të maturantëve, në kuadër të fazave që do të kalonte për mbylljen e ciklit të parë që quhet provimet e maturës shtetërore. Për të vazhduar me fazën e dytë, që është faza për hyrjen në konkurrim dhe për mënyrën se si do të operohet në konkurrim, sivjet të jenë në kohë dhe unë jam e bindur që nga bashkëbisedimi që do të bëjmë së bashku tashmë ju keni marrë gjithë informacionin e duhur”,- u shpreh zëvendësministrja e Arsimit.

Kryemadhi Lezhe (7)

Përpara të rinjve foli edhe Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kërpaçi e cila theksoi mbështetjen që i jep forumi rinor i LSI-së maturantëve duke shprehur solidaritetin me ta deri në zgjedhjen përfundimtare të problematikave që mund të hasen me procesin e Maturës Shtetërore.
“Ne duhet të jemi bashkë për një qëllim. Qëllimi është për një maturë transparence, për një maturë gjithëpërfshirëse, për një maturë e cila ofron shanse të barabarta për të gjithë ju”,- tha Kryetarja e LRI-së Floida Kërpaçi.

Duket se LSI tashmë po përpiqet të evidentojë çështjet më të ndjeshme për qytetarët shqiptarë duke i konsideruar si probleme të qeverisjes.

Kujtojmë se dje pati replika të forta në distancë mes kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, por nuk ka munguar as një reagim i kreut të qeverisë lidhur me situatën e kultivimit dhe trafikut të drogës në vend.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: