TIRANA

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, në një bashkëbisedim në Tiranë me qytetarët, deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim i ka dyert e hapura për çdokënd.

Kryemadhi theksoi se pandemia Rama po iu merr frymën qytetarëve, kurse shtoi se duhet të përmbyset sistemi i ngritur Rama, ku paratë shkojnë në duart e pak njerëzve.

“Kam qenë dhe jam socialiste. LSI i ka dyert e hapua për çdo njeri që do të jetë pjesë e politikës, do të ndryshojë të ardhmen e tij. Përveç pandemisë së koronavirusit, kemi edhe pandeminë Rama, që po iu merr frymën njerëzve. Ka 7 vjet që bëhen premtime dhe zero realizime.

Ka projekte tredimensionale, por qytetarët nuk kanë mundësi të paguajnë faturën, nuk paguajmë dot ilaçet. Epo, kjo nuk është jetë. Nuk jetohet me frikën e një të çmenduri që rri mbi kokë shqiptarëve. Duhet të përmbysim Ramën si sistem. Shqiptarët duhet të mos ikin me vrap nga Shqipëria, por të kenë të ardhme të sigurt këtu”, tha Kryemadhi.

Monika Kryemadhi theksoi se patriotizëm është që të mbrosh vendin tënd përballë keq-qeverisjes.

“Bisedoja me djalin tim dhe tha se patriot është ai person që mbron popullin nga qeveritë. Një qeveri që tjetërson historinë, një qeveri që detyron rininë të ikë nga Shqipëria, që shkatërron sistemin shëndetësor, që ka arrogancë për popullin, sigurisht që të mbrosh popullit tënd përballë kësaj qeverisje është patriotizëm.

Shqiptarët duhet të jetojnë këtu me paga të mira, me sistem shëndetësor ku fëmijët tanë të jenë të shëndetshëm. Por, ekonomia shqiptare është në duart e pesë personave. Të jemi bashkë kundër një të keqeje që ka shkatërruar ekonominë tonë”, deklaroi Kryemadhi.

Fjala e plotë e kryetares së LSI-së Monika Kryemadhit:

Po e nis nga fjalia që tha Etioni se askush nuk mund të na marrë më shumë seç na ka marrë. T’u marrësh shqiptarëve fëmijët të cilët ikin nga shtëpitë e tyre për shkak të mungesës është shumë më shumë se çmund të ketë çdo shqiptar. Ju falenderoj që morët një vendim për t’u shkëputur nga një parti dhe marrëdhënie që nuk ekziston.

Edhe unë jam socialiste nuk jam anëtare e rilindjes. Socialiste do të thotë të ndash energjinë dhe pozitivitetin me miqtë dhe me shokët. Unë e mora vendimin për të qenë socialiste e lirë dhe bashkë me shumë të rinj e të reja krijuam LSI dhe sot shumë të rinj dhe të reja mbasi ndihen të asfiksuar marrin një vendim për t’u shkëputur nga zinxhirët e Edi Ramës dhe rilindjes. LSI i ka dyert e hapura për çdo njeri që do të jetë pjesë e politikës, do të ndryshojë të ardhmen e tij.

Sepse sot në këto vite të vështira të ekonomisë, në këto vite dhe në këtë rrëmujë të jetës së shqiptarëve, por dhe në këtë muaj të frikës dhe pandemisë, që përveç covid kemi dhe pandeminë Rama që ju merr frymën njerëzve dhe me fluturat imagjinare të mendjes së tij, që jo vetëm nuk i krijon mundësi shqiptarëve por i mbyll ata. Në këto 4 vite, që ky zotëria i kishte të gjithë tespsinë, a krijoi më shumë vende pune, a rriti rroga, a uli kostot, a rriti pagat e mjekëve dhe infermierëve, a i uli çmimet e taksat?

Kur takoj socialistë të cilët nganjëherë ju vjen pak zor, ata thonë Monika kemi 7 vjet që dëgjojmë vetëm premtime dhe zero realizime. Dëgjojmë projektet e tij 3D por ne s’kemi mundësi të paguajmë faturat e energjisë elektrike dhe ilaçet, por nuk kemi as mundësi të flasim sepse kemi frikë se na kërcënojnë.

Nuk jetohet me frikën e një të çmenduri që rri mbi kurrizin e shqiptarëve por me kurajën për ta përmbysur, jo vetëm Edi Ramën por sistemin dhe mentalitetin, që raste të tilla mos vijnë më. Prandaj duhet të punojmë çdo ditë që Etioni që shumë shpejt do të bëhet baba të mos ngrejë plaçkat dhe të iki, por të punojë këtu.

Të punojmë për një sistem shëndetësor që t’u krijojmë fëmijëve tanë një jetë normale, për të pasur një infrastrukturë normale. E pra gabimet që kemi bërë ne që më shumë kemi menduar për stabilitetin politik apo rajonal, brezi i ri Etioni, Erisa e shumë të tjerë të mendojnë më shumë për të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve dhe ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb