TIRANË – Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, lidhur me çështjen “Doshi”, i ka kërkuar sot Prokurorisë “të hetojë me paanësi dhe jashtë ndikimeve që po përpiqen të ushtrojnë mbi të, segmente haluçionative dhe karakteropatike, për ta mbyllur njëherë e mirë këtë parodi.”

Rama paraqiti sot para medias një kartelë mjekësore të Petrit Cinarit, ish-oficerit të përmendur dje nga deputeti Doshi, si i porositur për ta vrarë, duke deklaruar se ai është një tjetër vrasës i sajuar, por i sëmurë mendor. “Farsa e Tom Doshit mbërriti dje në një pikë qesharake, – tha ai. – Pasi dështoi të prodhonte një vrasës nga Fushë Kruja, ka gjetur apo ka sajuar më mirë, një të ashtuquajtur vrasës nga Skrapari, që rezulton të jetë një i sëmurë mendor i trajtuar si i tillë nga institucionet e specializuara të vendit.”

“Kjo është kartela klinike e vrasësit të radhës, – tha Rama, – të cilën sugjeroj që organi i akuzës ta bëjë pjesë të dosjes, sesi janë manipuluar të sëmurët mendorë për këtë farsë.”

Lidhur me protestën që pritet të mbahet nesër nga PD-ja, ish-Ministri i Rendit, Luan Rama, tha se “duke pasur parasysh faktin se Shqipëria anëtare e NATO-s është bërë edhe për shkak të kontributit të dhënë nga PD, nuk besoj që Doktori do të mund t’i kundërvihej vullnetit të qytetarëve për të lejuar në protestën e nesërme apo në çdo ditë në vijim krijimin e terrenit për dhunë. Sepse në të tilla kushte pastaj do të gjendeshin përballë veprimit me forcë të shtetit,” – theksoi ai.

DEKLARATA E PLOTE E Z.LUAN RAMA

Farsa e Tom Doshit mbërriti dje në një pikë qesharake apo në një moment grotesk, pasi deputeti në fjalë, meqenëse dështoi të prodhonte një vrasës nga Fushë Kruja, ka gjetur apo ka sajuar më mirë, një të ashtuquajtur vrasës nga Skrapari.

Mirëpo, ajo çfarë është e rëndësishme dhe që duhet ta dinë qytetarët e këtij vendi, lidhet me faktin se rezulton që vrasësi, i ashtuquajtur vrasës nga ana e Tom Doshit, i cili u bë i njohur dje Petrit Çinari, rezulton të jetë një i sëmurë mendor i trajtuar si i tillë nga institucionet e specializuara të vendit.

Kësisoj, e gjithë kjo farsë njerëzish në gjendje haluçionative dhe karakteropatike, është shndërruar përfundimisht në një parodi qesharake e cila duhet të marrë fund sa më shpejt dhe menjëherë.

Në këto kushte, është detyrë parësore e organit të akuzës, pra e Prokurorisë, të hetojë me konsistencë, me paanësi, bazuar vetëm në ligj dhe jashtë ndikimeve dhe presioneve që përpiqet të ushtrojnë mbi organin e akuzës segmente të tilla haluçionative dhe karakteropatike për ta mbyllur njëherë e mirë këtë parodi dhe për të vënë përpara drejtësisë cilindo që është i implikuar në një marrëzi të tillë.

Dua të bëj të qartë dhe një gjë tjetër. Ligji shqiptar e dënon penalisht keqpërdorimin apo përdorimin e të sëmurëve në kundërshtim me atë çka paracakton protokolli i trajtimit të tyre. Ja këtu është dhe kartela klinike e “vrasësit” të radhës. Meqenëse jemi përballë edhe një shkelje tjetër të ligjit, është e rëndësishme që organi i akuzës ta bëjë edhe këtë element pjesë të hetimit të vet, duke e thelluar hetimin edhe tek manipulimi dhe keqpërdorimi i të sëmurëve.

Pyetje nga gazetarët

Z. Paloka ka deklaruar se PD-ja nuk do të mbajë përgjegjësi për sjelljen protestuesve gjatë ditës së nesërme. Keni ndonjë koment?

Ma do mendja që të gjithë qytetarët e këtij vendi, edhe vetë z. Paloka , edhe të gjithë deputetët e Partisë Demokratike, të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e PD-së, e kanë parasysh faktin që Shqipëria është një vend demokrat, një vend anëtar i NATO-s, një vend me rekorde pozitive edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian të vendit. E në këtë kontekst, çdo aludim, apo çdo përpjekje për të stimuluar dhunë, apo për të krijuar terrenin për dhunë, natyrisht është jo vetëm e dënueshme, por do të gjejë përballë reagimin e vendosur të organeve të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë. Por unë duke pasur parasysh faktin se Shqipëria anëtare e NATO-s është bërë edhe për shkak të kontributit të dhënë nga PD nuk besoj që Doktori do të mund t’i kundërvihej vullnetit të qytetarëve për të lejuar në protestën e nesërme apo në çdo ditë në vijim krijimin e terrenit për dhunë. Sepse në të tilla kushte pastaj do të gjendeshin përballë veprimit me forcë të shtetit për të ndëshkuar ligjërisht cilindo kriminal e keqbërës, shkelës të ligjit apo politikan që shfaqet si i tillë nga njëra anë dhe nga ana tjetër qytetarët shqiptarë nuk do të mund të pranojnë dhe të lejojnë më askënd të krijojë terren dhunë, teatër dhune apo skena dhune në këtë vend.

Reagimi i shtetit a do të jetë i njëjtë me atë 21 janarit të vitit 2011?

Reagimi i shtetit do të jetë ashtu siç reagon çdo shtet anëtarë i NATO-s kur përballë ka shkelësit e ligjit dhe keqbërësit.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: