Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, pas urimit të bërë për Ditën e Verës drejtëpërdrejtë nga studio e lajmeve të News24, foli edhe për mundësitë e opozitës në lidhje me kandidaturat për zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Dita e Verës është simboli i rilindjes së çdo gjëje, ndryshe nga herët e tjera kam pasur axhendë të zënë me takime. Shpresoj që entuziasmi i pranverës, të na sjellë gjëra të freskëta për të cilat ne kemi nevojë. Kishte një mbipopullim të rrugëve e lokalëve, e vetëm sot s’duhet të flasim për politikë, ta lëmë veçantë,” uroi Kryemadhi.

Ndërsa për kandidaturën e përbashkët në zgjedhje lokale, Kryemadhi tha se janë në fazën e diskutimeve me PD për këtë çështje duke theksuar se nuk janë ftohur marrëdhëniet me kryedemokratin Lulzim Basha.

“Ne jemi në diskutime, ne jemi në fazën e diskutimeve për kandidatët, gjë që është e rëndësishme për kandidatin që do marrë përsipër jo vetëm fushatën po dhe strategjinë e qytetit në të cilin do kandidojë. Do fillojmë dëgjesat, do hidhen kandidaturat në tryezë, por është herët akoma për të vendosur. Por di të them që LSI do të jetë e përgatitur për të gjitha llojet e varianteve.

Planet tona janë nga më të ndryshmet, se nga eksperiencat në zgjedhjet lokale të kaluara në shumicën e rasteve, kemi qenë gjithmonë jo të tradhëtuar, por strukturat e partive përkatëse nuk e kanë përkrahur kandidatin e LSI, ndërkohë që ne e kemi mbështetur qoftë kandidatin e PS apo të PD. Do plotësojmë Komitetin Drejtues që do orientojë aksionin politik të LSI në 61 bashki të Shqipërisë. Sot Shqipëria nuk ka më luksin për të ndarë programe të majta e të djathta, por forcat politike të unifikohen në luftën kundër varfërisë,” tha Kryemadhi.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: