TIRANE- Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama vlerësoi procesin e zgjedhjeve ndërsa shprehu pakënaqësi për rezultatin e Pogradecit, ku kandidati i ASHE-së Diana Lile humbi përballë atij të APPD-së Eduard Kapri. Sipas Ramës, me Pogradecin është bërë pazar.

“Nuk ka asnjë justifikim pazari i bërë në bashkinë e Pogradecit ja kalon edhe pazarit të Roskovecit”.

Duke falenderur qytetarët shqiptare, Rama gjeti rastin të përshëndesë edhe votuesit e LSI-së të cilët sipas tij i kanë qëndruar besnikë marrëveshjeve dhe kontratave me partnerët duke votuar 100% kandidatët e ASHE-se dhe duke mos u bërë pjesë e pazareve, siç tha Rama.

“Këto ishin zgjedhjet që edhe sipas vlerësimit të ndërkombëtarëve shënuan një standard të ri në përputhje me standardet e OSBE-ODIHR. Në emër të LSI, falenderoj të gjithë qytetarët shqiptarë për nivelin e lartë të përgjegjshmërisë dhe qytetarisë. Faleminderit edhe simpatizantëve dhe përfaqësuesve të LSI që kanë votuar 100% për kandidatët e ASHE-së duke mos u bërë pjesë e pazareve dhe lojërave që të dëmtonin kandidatët e përbashkët. Modeli i votuesve të LSI konfirmojnë luajalitetin dhe besnikërinë e LSI ndaj marrëveshjeve dhe kontratave me partnerët”.

LSI është konfirmuar forcë e parë në 2 Bashki, Delvinë e Skrapar dhe ka fituar 9 të tilla, tha ndër të tjera Rama, duke shtuar se kjo tregon “rritjen e konsoliduar në mbështetje të LSI, çka dëshmon raportin e veçantë dhe unik që LSI ka me qytetarët shqiptarë”.

Luan Rama deklaroi se LSI do të vlerësojë rezultatin dhe çdo votë si pro ashtu edhe kundër, duke përjashtuar zgjedhjet në Bashkinë e Pogradecit nga ky qëndrim.

“Do ta vlerësojmë maksimalisht rezultatin, do vlerësojmë çdo votë pro dhe kundër. Tek ky qëndrimi i yni nuk bën pjesë bashkia e Pogradecit”, theksoi ai.

Në lidhje me rezultatin në Vorë, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së tha se gjithë procesi i numërimit dhe shpallja zyrtarisht e vendimit nga KQZ do të ndiqet me seriozitet. Rama falënderoi qytetarët e Vorës, të cilët dhanë sipas tij dhanë shembullin e shkëlqyer të qytetarisë në gjithë procesin.

“Kam një komunikim të vazhdueshëm me shumë qytetarë të Vorës, të cilët nuk e besojnë rezultatin që nuk është shpallur ende zyrtarisht nga KQZ, për të cilin ne do ta mbajmë me shumë seriozitet në vëmendje, për të ndjekur vlerësimin real të çdo vote në Vorë. Unë dëshiroj ti falënderoj nga zemra të gjithë qytetarët e Vorës, pavarësisht bindjes. Për shembullin e shkëlqyer, qytetarinë dhe korrektesën e treguar gjatë gjithë procesit. Pasi ndryshe nga sa u përpoq të akuzonte opozita ata nuk lejuan të materializohen qëndrimet e saj. I përshëndes të gjithë djemtë dhe vajzat e Vorës që kanë krijuar një atmosferë të shkëlqyer, të paparë në Vorë. Rezultati është shembullor, nuk ka ndodhur më parë në Bashkinë e Vorës. I jemi drejtuar KQZ, Prokurorisë dhe do të ndjekim me shumë seriozitet të gjithë hapat ligjorë për të certifikuar rezultatin edhe në Bashkinë e Vorës. Hapat ligjorë janë rruga e duhur në te cilin duhet të ecim. I kam falënderuar dhe i falënderoj edhe mbështetësit e PD-së dhe komisionerët e tyre që kanë qenë bashkëpunues, me të cilët kemi arritur një proces të standardeve që filozofia e lidershipit të PD-së në Vorë mos bëhej realitet”, tha Luan Rama.
(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: