NGA DARINA TANUSHI

TIRANE– Lëvizja Socialiste për Integrim ka publikuar shpenzimet për të gjitha aktivitetet që ajo ka kryer për fundvitin. Ashtu siç vendosi miratimin e platformës për transparencë, LSI-ja ka tashmë të publikuara në faqen e saj në internet, në pjesën që flet për financat dhe buxhetin, shifrat e shpenzuara për të gjitha aktivitetet e zhvilluara në muajin dhjetor 2015. Kështu, një nga aktivitetet që ka kushtuar më shumë është festa e Vitit të Ri, për të cilën janë shpenzuar 730.920 lekë të reja, por në sqarimin që jepet poshtë tabelës së specifikuar thuhet se “fondet për shpenzimet e këtij aktiviteti janë prodhuar nga kontributet e çdo pjesëmarrësi si dhe nga kontributet vullnetare të LRI-së”, të cilat janë derdhur në llogarinë bankare pranë “Credins Bank”.

Shuma totale e mbledhur është 855.300 lekë, pra rreth 124.380 lekë më shumë sesa u shpenzuan për festën. 40 mijë lekë të reja u shpenzuan për gazin e ngrohjes, në mjedisin që u zgjodh për të bërë mbrëmjen. Qiraja e ambientit ka kushtuar 20 mijë lekë. Ledi, fonia, skena, ndriçimi, të gjitha së bashku kapin shifrën e 300 mijë lekëve. Pijet që kanë konsumuar të ftuarit në këtë festë kanë kushtuar rreth 200 mijë lekë të reja ose 2 milionë të vjetra. Ndërkohë sqarohet se DJ dhe këngëtarët që kënduan në festë janë anëtarë të LSI-së, ndaj kjo pjesë është bërë falas. Në shpenzimet që janë deklaruar është edhe dëgjesa që bënë më 19 dhjetor këshilltarët e Bashkisë Tiranë me administratorët e bashkisë.

Ky aktivitet ka kushtuar gjithsej 17.100 lekë të reja, nga të cilat, qiraja e sallës së Muzeut Kombëtar për një orë ka kushtuar 70 mijë lekë të vjetra dhe printimi i dy banerave ka kushtuar 101 mijë lekë. Një tjetër aktivitet që ka zhvilluar LSI-ja është vënia në skenë e një vepre teatrale nga të rinjtë e LRI-së, në 22 dhe 23 dhjetor. Për këto dy data është paguar vetëm salla, e cila ka kushtuar 500 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë, dy aktivitetet e tjera kanë lidhje me bamirësinë. Të rinjtë e LRI-së dhuruan për fëmijët në nevojë.

“Për aktivitetin e datës 20 dhjetor, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka kryer as një shpenzim për realizimin e tij. Pakot e dhuratave të përgatitura për fëmijët, kanë qenë të mbushura me dhuratat që të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim, Njësia Nr.5, kanë dhuruar për fëmijët. Dhuratat konsistonin në rroba e lodra të ndryshme, dhe ushqime, si makarona, sheqer, miell, vaj”, thuhet në sqarimin që është bërë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: