TIRANË

LSI i është përgjigjur përmes sekretares Organizative Eriona Bixha, kryebashkiat Veliaj, për të cilin u shpreh se vijon shfaqjet teatrale duke propaganduar një Tiranë që nuk ekziston.

“Erjon Veliaj nuk është në shërbim të qytetarëve të Tiranës, por vetëm në shërbim të plotë të oligarkëve dhe të qokave që i bëjnë njëri tjetrit.” tha Bixha, ndërsa shtroi disa pyetje për kryebashkiakun.

Deklarata e plotë:
Kryebashkiaku gënjeshtar dhe i pangopur i Tiranës vazhdon shfaqet teatrale duke propaganduar një Tiranë që nuk ekziston.
Erjon Veliaj nuk është në shërbim të qytetarëve të Tiranës, por vetëm në shërbim të plotë të oligarkëve dhe të qokave që i bëjnë njëri tjetrit.

Përse sot Karta e Rezidentit nuk është vënë ende në funksion të qytetarëve, por çdo ditë ata torturohen në trafikun që ju ka bërë “dhuratë” Erion Veliaj, duke harxhuar naftë, nerva, si edhe më shumë lekë për gjetjen e hapësirave private për parkim.
Cila është e vërteta e Programit të Rindërtimit? Po me dëmshpërblimet e dëmeve të tërmetit çfarë po bëhet? Asgjë, sot banorët e Tiranës enden rrugëve të qytetit pa një vendstrehim. Banoret e Bulevardit të Ri, në Lotin e 3 që u nxorën nga shtëpitë e tyre me gaz lotsjellës, ende pa u gdhirë sot janë në mes të 4-rrugëve.

Erjon Veliaj , paturpësisht barazon sot ndërtimin e 1 shkolle me ndërtimin e 10 kullave apo komplekseve gjigande pallatesh. Ku është premtimi që nuk do të ndërtonte asnjë kulle të vetme?
Rritja e çmimit të ujit të pijshëm jo vetëm që nuk e justifikoi furnizimin në 24 orë në ditë, por cilësia që vjen në rubinetet e shtëpive tona është krejtësisht jashtë standardeve të ujit të pijshëm.
Për Erion Veliajn Tirana fillon dhe mbaron tek Sheshi Skënderbej aty ku ka grabitur qindra miliona të taksave të shqiptarëve.

Tirana e shinave të trenit, e Shkozës, e Kombinatit, e Zall Herrit, e Baldushkut dhe shumë njësive të tjera për Erjon Veliaj nuk ekzistojnë.
Infrastruktura në këto zona është krejtësisht e lënë pas dore, mungesë asfaltimi, ndriçimi, sinjalistikë, çizmet e llastikut janë shpëtimtarët e banorëve në stinën e dimrit në shumë zona të Tiranës. Taksat e qytetarëve të Tiranës shkojnë për bandën e punësuar që bën propagandën e Veliajt në Facebook dhe jo në shërbim të qytetarëve.

Këto pyetje njëherazi akuza për Erjon Veliajn, kërkojnë përgjigje.
Qytetarët e Tiranës duan zgjidhje, jo propagandën tuaj.
Këto janë vetëm disa nga premtimet e pa mbajtura të Erjon Veliaj, ne do të jemi këtu çdo ditë si zëri i vërtetë i qytetarëve. Qytetarët e Tiranës nuk meritojnë një gënjeshtar si Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb