TIRANË- LSI ka reaguar zyrtarisht pas akuzave të kreut të opozitës Lulzim Basha në lidhje me bujqësinë, ministri që drejtohet nga Edmond Panariti i LSI-së. Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i LSI-së Luan Rama tha se politikat e ministrisë së bujqësisë nuk janë politika të një ministri por shtetit. Ai e akuzoi Bashën si shërbëtor të Ramës.

“Ne vazhdojmë të jemi transparent ndaj publikut. Dimë të shohim me realizëm defektet dhe dimë të kërkojmë ndjesë për atë çka nuk kemi bërë mirë. Edhe Edi edhe Luli dhe cilido tjetër që ka pak përgjegjësi për punën që bën në zyrë, e di që politikat e një ministrie nuk janë të një ministrie por shtetërore. Dua të nënvizoj një fakt që është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë që subvencioni për bujqësinë në vitin 2017 është 13 mln euro, ndërkohë që në Kosovë është 64 mln euro dhe në Maqedoni 170 mln euro. Le të përpiqet s të dojë Basha ta vërë gishtin tek ministri i bujqësisë por tregon sa shërbëtor i verbër është”, theksoi Luan Rama.

Ai tha se këto janë tentativa për të frikësuar LSI dhe për të sugjestionuar elektoratin e saj, duke thënë se do e marrin përgjigjen më 25 qershor. “Pavarësisht kësaj më lejoni të bëj të qartë edhe njëherë për publikun se kryetari i rilindjes Edi dhe zëdhënësi i tij Luli nuk e trembin dot LSI dhe as i sugjestionojnë votuesit, që do t’ia japin përgjigjen kësaj dysheje kaq të këndshme më 25 qershor kur do të ndahet njëherë e përgjithmonë qeverisja e kabanizimit nga qeverisja e LSI-së”, tha Luan Rama.

Basha hodhi akuza të rënda edhe ndaj qeverisë dhe ministrisë së Bujqësisë për subvencionet sot nga Dibra. Ai tha se bujqësia, blegtorët, fermerët janë të përjashtuarit më të mëdhenj të Republikës së vjetër bashkë me rininë.
“Ju premtoi subvencione, kush ka marrë subvencione këtu? Cili? Ju premtoi naftë pa akcize, kush e merr naftën pa akcizë nga fermerët? Mashtrim janë subvencionet për bujqësinë. 100 mln euro në vit. Ne do ndërtojmë sistem pa nipt. E ka bërë një sistem ky tjetri, i LSI-së, ky që në Devoll i thoshin panashiti, kështu i thonin. Të jap subvencione por më jep këtë e atë. Bënin llogari ata duhet të jepnin 800 lekë që të merrnin 600 lekë. Tamam prej LSI-je. Llogari LSI-jë. Do të jetë pa nipt, vetëm me numrin e identifikimit të fermerit, pa burokraci. Qëllimi do të jetë nxitja e prodhimit”, tha Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb