Kreu i PD në Fier, Luan Baçi, i cili i është bashkuar referendumit të thirrur nga Sali Berisha për shkarkimin e Lulzim Basha si kryetar i PD, foli për gazetarin e News24 dhe BalkanWeb, Ervis Kuçi, lidhur me procesin e votimit.

Nga një qendër votimi në Fier, Baçi tha se pjesëmarrja në votim është masive, ndërsa shtoi se Kuvendi Kombëtar, që do të mblidhet sot në orën 11:00 nga Basha, është nul dhe nuk ka numrin e nevojshëm të delegatëve.

“Sot është një ditë e veçantë, është referendum si asnjëherë tjetër. Voton anëtarësia në mënyrë plebishitare. Janë orët e para të mëngjesit dhe ka një pjesëmarrje masive. Lulzim Basha po organizon një Kuvend të PD, një kuvend që organizohet me anëtarë të thjeshtë të PD ose jo, që mundet t’i mbledhin sa andej këndej. Një pjesë e mirë e tyre nuk kanë lidhje me pozicionin politik të PD, pra nuk janë delegatë. Delegatët janë të dhënë, të zgjedhur në Kuvendin e parë, delegatë janë kryetarët e seksioneve, të grupseksioneve, sekretarët e grupseksioneve dhe anëtarët. Janë njerëz që njihen një për një. Sot, në Kuvendin e ashtuquajtur që do të mbahet në Tiranë, unë i bëj thirrje Bardhit e Bashës të publikojnë emrat e delegatëve të Fierit dhe t’i ballafaqojmë. Kështu që Kuvendi i 18 dhjetorit del nul. Plus, Pallati i Kongreseve nuk ka më shumë se 2 mijë karrige. Që Kuvendi të quhet i vlefshëm duhen të paktën 3 mijë e 1 delegatë. Absolutisht kanë mbledhur anëtarë të PD për të bërë një Kuvend”, tha Baçi.

I pyetur se “Po te ju si do e kuptojmë që do votojnë delegatët?”, demokrati u shpreh se “Gazetarët janë këtu dhe po monitorojnë procesin. Do të shikoni numrin e anëtarëve që do vijnë për të votuar. Do të merrni numrin e saktë të anëtarëve që kanë votuar. Në zgjedhjet e fundit për zgjedhjen e kryetarit Basha kanë votuar rreth 700 anëtarë, ndërsa sot ju them se do të vijnë dyfish për të votuar për shkarkimin e Bashës nga kryetar”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb