Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se ekonomia shqiptare pësoi dy goditje të forta, atë të tërmetit të nëntorit dhe të pandemisë së koronavirusit.

Ndër të tjera, Bregasi kritikoi edhe politikën, teksa theksoi se nuk e ka pasur në objektiv nxitjen e prodhimit vendas, si dhe nuk e përgatiti ekonominë për të përballuar situatën.

“Pas tërmetit të nëntorit dhe pandemisë, ekonomia shqiptare mori dy goditje. Ekonomia jonë nuk konkurron fort me tregjet evropiane dhe rajonale, dhe pas këtyre dy goditjeve ndjeu rënie. Përgjithësisht gjithë politika shqiptare nuk e ka pasur në objektiv nxitjen e prodhimit vendas. Politika nuk e përgatiti ekonominë për të përballuar situatën.

Ndaj iu desh vetë ekonomisë dhe sipërmarrjes për t’u pajisur me armë për të përballuar këtë gjendje. Politika duhet të merrte masa që t’i krijonte kushte të konkurronte ekonomia vendase. Kostot e prodhimit ne i kemi shumë të larta. Energjinë e kemi me çmimin më të lartë në rajon, 40-60% më të lartë, po kështu edhe çmimin e ujit.

Në kërkesat që kemi bërë në kuadër të pandemisë, është edhe kërkesa për uljen e çmimit të energjisë. Kapacitetet janë të vogla. Të gjitha këto e kanë gjetur ekonominë në një krizë të thelluar nga pikëpamja e konkurrueshmërisë.

Koncesioni i skanimit është me një kosto të pallogaritshme. Ky koncesion është dhënë më 2012. Na kanë vënë dhe parapagim, një çmenduri e paparë. E gjitha kjo e bën më të brishtë industrinë tonë, në kohën e pandemisë. Ne nuk është se ishim të fortë ekonomikisht, dhe kjo na duhej”, tha Bregasi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb