Pothuaj mund të dëgjosh kambanat e kishës françeskane në ish bulevardin Stalin ndërsa lexon kujtimet e Luan Ramës. Mund të rindërtosh po aq, edhe lulishten në anë, ku prindërit e tij, të veshur me rrobat më të bukura, merrnin pjesë në mbrëmjet e vallëzimit. Është pothuaj magjike si më e ndjeshmja nostalgji, nëse për një çast harron se shtrati historik i këtyre rrëfimeve, është komunizmi. Bulevardi Stalin përtej kujtimeve feminore, bart edhe teatrin politik të kohës, nga ku Hrushovi a Çu en Lai I drejtohen me fjalime popullit “vëlla” shqiptar, vëlla në kuptimin ekstrem të ideologjisë që i shënjon jetët e tyre.
Kur perdja teatrale bie, nga dritarja e shtëpisë, përmes syve të një fëmije, do e shohim kishën të shembet bashkë me ceremonitë plot tinguj të “Glorias”, sheshin e vallëzimit të zbehet dhe gjithë ngjyrat të sfumohen në një bardhezi aspak kinematografike. Ecce homo- nën thundrën autoritare.

Shkrimtari Luan Rama vjen në një intervistë kur rrëfen librin e tij më të fundit “Fëmija i bulevardit Stalin”. Fëmijëria dhe Tirana, dhuna e pushteti, kujtimet e familja ndërthuren me nostalgjinë dhe ndjesitë e një ish diplomati shkrimtar e përkthyes.

“Unë jam rritur pranë bulevardit Stalin që në kohë të ndryshme kishte emra të ndryshëm.  Në fillim ishte “Zogu I”, pastaj u quajt “Musolini”, më pas “Stalin”. Vitet e fundit ka sërish emrin bulevardi “Zogu i parë”. Ishte një zonë ku shihje çdo gjë, fjalime, parada, zhvillime. Kisha afër një kishë françeskane, ku shpesh dëgjoja meshë, merrja pjesë në ceremonitë e tyre dhe po ashtu jam bekuar, pavarësisht se jam mysliman”, tregon ai.

Po aq, Luan Rama ndërsa ndalet në fëmijërinë e tij, tregon për kthinat e humbura të Tiranës, si sheshi i vallëzimit ku ai kujton se prindërit e tij merrnin pjesë. “Po aty, ishte edhe kinemaja që e dëgjoja nga shtëpia, madje mësoja dialogët dhe gjithë aktorët frëngë.

Pranë ishin edhe familjet e mëdha tiranase si Kazazet e Kellezet. Bashkoheshin mjedisi tiranas- ai politik dhe ndjesitë e botës çame”.

Luan Rama tregon edhe si perceptohet dhuna komuniste në sytë e një fëmije

“Ne luanim te këmbët e shtatores së Stalinit. Aty flisnin udhëheqësit por po aty në si familje e Ali Demit përjetuam edhe dënimin e Tahir Demit. Çdo familje kishte dikë të dënuar, pra diçka dihej mbi shtypjen. Kujtoj ditën kur pashë shembjen e Kishës françeskane. Shumë kohë më vonë, takova priftin e Kishës, ai nuk mbante mëri, thoshte vetëm që janë mëkatarë. Në atë zonë në fëmijëri takoja Skënder Luarasin, Petro Markon, Mitrush Kuteli, aty ishte  kafja e Dhimitër Shuteriqit. Prindërit e mi kishin kontribut në luftë, ishin komunistë, por u zhgënjyen”.

Ndërsa flet për librin “Fëmija i bulevardit Stalin” (Botimet Onufri), Luan Rama, thotë se është kundër shënimit mbi filmat e para ‘90-ës.

“Bllokimi i filmave do ishte një makartizem i ri” thekson ai.

Më tej ai ndalet te seria e librave për fëmijë, shkruar për  të njohur figurat e mëdha, si Skënderbeu, Xhanfise Keko, Aleksandër Moisiu, Ali Pashë Tepelena, etj, e njohur si seria “Më quajnë” (Botimet Albas) që rrëfejnë jetët e kontributet e personazheve që kanë shënjuar historinë e Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb