Nga: LUAN RAMA*
Në këtë prag Krishtlindjesh, dy pik torë shqiptarë, Bujar Luca dhe Edi Rama, prezantojnë në galerinë “Rhinocéros & Cie” në “Bulevardin Haussmann”, në Paris, një “ekspozitë të përbashkët, ku edhe pse veprat e dy piktorëve duket se s’kanë lidhje me njëra-tjetrën, një shqetësim i përbashkët i bashkon: ai i përpjekjes, i mundit njerëzor për të kapërcyer pengesën, ku për Lucën, janë “telat me gjemba”, ndërsa për Ramën, e vjetra, konservatorizmi, ku në kaosin e madh të shkaktuar pas përmbysjes politike, është e vështirë të bësh që e reja të triumfojë. Duke iu referuar vizatimeve të Ramës në ciklin “Letra zyre” (“Papiers de bureau”), Anri Sala e përcakton mjaft mirë atë gjendje të krijuesit që, i gjendur buzë greminës, ai e lë mënjanë rrezikun asgjësues të shembjes, duke abstraguar dhe hyrë në një tjetër botë, atë të artit, të krijimit në shërbim të së resë. Ai bën një paralelizëm midis patokut legjendar të filmave vizatimorë Dafi Dak, i cili vë këmbën mbi greminë pa kuptuar se shkëmbi tashmë ka mbaruar dhe ai vazhdon të ecë, me ekuilibristin e famshëm Philippe Petit, i cili në lartësinë e 417 metrave shtrihet një çast mbi telin e lidhur midis dy kullave binjake, për të komunikuar me një pulëbardhë që rastësisht i sillet mbi kokë. Dhe Anri shton: “Është e paqartë nëse përsiatjet vizatimore të Edi Ramës janë frut i përqendrimit të thellë, apo rezultat i ëndërritjes së tij. Vështirë ta përcaktosh. Pa dyshim që ligjet magjisjellëse të botës së vizatimorëve nuk gjejnë vend në problemet e përditshme të politikës së qytetit apo humnerave dhe marramendjes që ato mbartin. Sidoqoftë, me gjithë ndryshimet mes tyre, Edi, Filipi dhe Dafi ndajnë një recetë të përbashkët: të mposhtin forcën e rëndesës dhe të injorojnë humnerën përmes abstragimit…” Por le të ndalim pra në veprat e dy autorëve, Luca dhe Rama, të pothuaj një gjenerate, ku Parisi, vendi i tyre i dashur, i ka pikëtakuar shumë herët, që në vitet ‘90, ku njëri pikëtakonte modernitetin e një Ucello, Margarite, Kandinsky apo Duchamps, dhe tjetri botën e afreskeve të Renesancës italiane dhe peizazhistëve francezë të shekullit XVIII-XIX. Në ato çka ekspozon, Luca ka bashkuar kësaj radhe elemente të tri serive të mëparshme të tij: “Kufiri” (La Frontière”), “Back Box” dhe “Kurora me gjemba” (Couronne d’épines”). Simbolika e “kufirit” janë telat me gjemba, një detaj e simbol i rrënjosur tashmë te ai që nga koha totalitare shqiptare, ku kufiri ishte i mbyllur, i ndaluar, dhe “gjembat” ishin vdekjeprurës; ku kufiri nuk ishte vetëm fizik, real, por edhe ajror, psikik, ndjesi e pamundësisë për të njohur dhe përjetuar botë të tjera dhe pikësëpari atë të Perëndimit, të cilit i përkisnim gjeografikisht dhe historikisht, Perëndimin që grishte pareshtur shpirtin e artistit jo të lirë. Ky detaj, “teli me gjemba”, gjatë 20 vjetëve nuk ka reshtur së shfaquri në veprat e piktorit në forma nga më të ndryshmet dhe gjithnjë me një sensibilitet e origjinalitet jo të zakontë, të cilat variuan në qindra vizatime, që siç thotë Luca, “shpesh gjej në to tema të reja”. Pasi janë ato që krijuan së bashku, atë që artisti do ta quante më pas “Black Box”, ku i rrethuar prej tyre, vizitori e ndjen veten mes një bote tjetër, evokuese e sinjifikative: e kaluara e vetë piktorit dhe e një shoqërie të tërë mes telave totalitare. E megjithatë ai e shtyn idenë edhe në një plan tjetër, më të gjerë e filozofik, duke e lidhur me shprehinë artistike, me “betejat” që zhvillohen në shpirtin e artistit në kërkim të shenjave apo këtij fjalori artistik, ku “dyluftojnë vetmia, përbuzja, dëshpërimi, përballë vendosmërisë, forcës, vrullit dhe këmbënguljes. Lufta midis dorës sime dhe syrit tim. Shpesh dora bëhet pengesë për të parë. Dhe syri, një autor hezitues. Duke pasuar njëri-tjetrin, imazhet e mia lejojnë një lidhje të pandërprerë që shmangin boshllëkun dhe ndërprerjen e gjestit. Një dans ajror, një thirrje për të shprehur ndjenjat, vrullin, erën e mbarë. Padurimi në krahët e erës”. Duke vazhduar në këtë udhë, pas ekspozimeve të tij në ekspozitat personale në Buxy, (Châlon sur Marne), në “Galerie Gerard Rambaud” apo “Lucernaire, (Paris), Galerie “Cobra”, (Bruxelles), Bar le Duc apo Sucy en Brie, etj., Luca punoi 8 tablo të reja, të cilat i titulloi «Couronne d’épines», të prezantuara tashmë në këtë ekspozitë, ku ai shton dhe një frazë të tij “Kurorë gjembashunaza e botës”. Shumëkush mund të pyesë për domethënien e kësaj thënieje simbolike, ku së pari mund të mendojë për kurorën me gjemba të Jezuit, të trajtuar dhe nga disa autorë të mëdhenj të pikturës italiane të Renesancës, apo dhe nga piktori i dashur i tij Philippe de Champagne, figurë që e gjen edhe në një plan filozofik po të mendosh për vetë rrugën e njerëzimit, kalimin nëpër “tunelin e Platonit”, kalim që edhe pse përtej shfaqet diçka ndjellëse, një imazh drite, lirie e ngazëllimi, ai është i vështirë, i rrezikshëm dhe ku gjembat të kanosin çdo çast. Duhet të rrezikosh gjithnjë, të luftosh me vështirësitë e jetës që të mund të arrish imazhin e lumturisë, mirëqenies, progresit. “Unë propozoj një temë, – më thotë Bujari. – Paraqes një dritare, një “hublot” (si dritaret e avionit) që tjetri të shohë përtej saj”. Sigurisht, kjo dritare e rrumbullakët, ky tunel, kjo kurorë gjembash ku dikush shikon kurorën e Jezuit dhe premtimin e martesës hyjnore, kjo është një lidhje unike që kapërthen gjithë botën, njeriun, jetën njerëzore me vetë misterin e saj. Siç e shkruaj dhe më lart, gjembi, pengesa, hendeku, nevoja e shkatërrimit të së vjetrës për të ndërtuar të renë, pikërisht kjo i lidh këta dy artistë, që galeristi francez Serge Plantureux ia ofron këto ditë publikut dhe kritikës së artit. Edhe pse me një titull modest, “Letra zyre”, mjeshtëria e artistit tregon se dhuntia, inteligjenca e tij nuk është venitur e tharë nga puna sfilitëse e “ndërtuesit”, politikanit. Shumë vite më parë, kur kryetarin e Bashkisë Edi Rama, p a r l a m e n – tarët e PD-së apo të pakënaqurit e PS-së e kishin vendosur në bankën e akuzave me kërcënimin e Komisionit Hetimor, gati për ta linçuar e kaluar në gijotinë, kisha botuar në shtypin shqiptar një shkrim me titull “Baroni Haussmann zbarkon në Shqipëri”, duke bërë paralelizmin e nismës dhe gjendjes së tij me Baronin novator dhe prefekt të Parisit në mesin e shekullit XIX, i cili, me përpjekje gjigante dhe përmes akuzash të tmerrshme, kishte mundur të krijonte fizionominë e atij Parisi që shohim me aq kënaqësi sot. E ç’nuk hoqi ky baron nga akuzat dhe shpifjet e kundërshtarëve të tij politikë apo ministrave të qeverisë së tij për shkatërrimin e Parisit, për vjedhje fondesh, mashtrime dhe korrupsion të llahtarshëm. Por baroni vazhdonte të hapte bulevarde të reja dhe të krijonte Parisin e shekujve të ardhmë, të ndërtonte trotuare, ura të mëdha, të shkatërronte kioska dhe shtëpi mjerane. Ai e dinte se ç’do t’i linte Francës, edhe pse me çmimin e shtrenjtë të shkatërrimit të vetvetes… Duke riparë librin e botuar nga “Toena”, ku vizatimet janë alternuar me tekste të vetë artistit apo shënime të kalendarit të punës së tij (shto këtu dhe akuzat ndaj tij për korrupsione të llahtarshme), gjithçka e vërteton këtë paralelizëm me baronin me origjinë nga Strasburgu. Por Rama, ndryshe nga Haussmann, për më tepër është dhe një piktor. Ky vizatues, me një imagjinatë të habitshme na kujton së largu një tjetër emër të pikturës franceze të gjysmës së dytë të shekullit XX: Roland Topor. Në fletën e kalendarit të takimeve që mban datën 27 prill 2001, është një patok i zi i pikturuar mjeshtërisht (vallë një sivëlla i atij që përmend Anri Sala?) përballë gjëmbaçësh që ngrihen trishtueshëm drejt të cilave ai shkon. Ç’ka dashur të thotë artisti? Ka një gjendje dëshpërimi, lodhje dhe zhgënjimi që, më pas, përvijohet me vizatime të tjera që shfaqen në faqet e kalendarit të punës. Por shumë shpejt figurat na shfaqen me ngjyra, kohë kur kryetari i bashkisë kërkonte t’i jepte Tiranës një ngjyrë, një ngazëllim kromatik, ndoshta për të harruar dhimbjet e tranzicionit dhe vuajtjen e madhe popullore. Edhe pse të varfër, të paktën të mund të jetojmë denjësisht, të mund të ëndërrojmë… Në bllokun e tij ai ka shtuar: “Ngjyra ishte një proces që bëri të mundur që koha të përjetohej si një element i përbashkët. I gjithë ky peizazh që modifikohet me ndërhyrjen e ngjyrës, është një peizazh që reflekton poshtërimin e stërgjatë në dekada të individit nga indiferenca e shtetit… Kjo që ka ndodhur nuk është rezultat i demokratizimit, por është më shumë avangardë e demokratizimit…” E imagjinoj një çast artistin-pushtetar, ku edhe pse artisti e pushteti e kundërshtojnë disi njëri-tjetrin, përsëri, ai ka mundur të çlirohet për pak kohë nga trazirat e pushtetit për t’u gjendur në botën e lirë të artit, në dehjen e lirë të vizatimit ngarkuar me simbole, ku ngjan se artisti është në tërë potencialin e tij. Pasi fantazia është e habitshme kur krah tekstit “Teatro povero” ai vendos figura me trajtë njerëzore, por të ngërthyer nga qindra thyerje apo detaje të vetë qytetit, jetës, mjedisit dhe bëmave njerëzore. Një mori figurash që ndjekin njëra-tjetrën, një galeri personazhesh anonimë që ndërthuren me shënime si “plani italian i varrezave të Sharrës” – plani i energjisë – Dialog me Shqipërinë – taksa e gjelbër – etj., etj. Është e habitshme që ky pinjoll i baronit Haussmann, rishfaqet me vizatimet e tij, pikërisht në bulevardin parisian që mban emrin e baronit të famshëm: “Boulevard Haussmann”. Dhe është ndoshta kjo që justifikon disi titullin e kësaj ekspozite “Nesër, shqiptarët” (“Demain les Albanais”)…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: