Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama i është përgjigjur sot kryeministrit Edi Rama pas deklaratave të djeshme. Ai përsëriti disa herë që kryeministri nuk duhet të merret me Lëvizjen Socialiste për Integrim, por me punët dhe hallet e shqiptarëve.

Ndër të tjera, Luan Rama shtoi se kryeministri nuk ka probleme me LSI-në, por me Shqipërinë dhe demokracinë.

“Duke u marrë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, simpatizantët, Edi Rama nuk e fsheh dështimin e tij në qeverisje, e realitetin e dhimbshëm, korrupsionin që e ka pllakosur dhe e mban për fyti Shqipërinë. E vërteta e dhimbshme tej fasadës e propagandës së tij nuk fshihet me kronika të transmetuara më parë dhe maskave me lule që i ndërron çdo ditë. Pra duket qartë të dashur qytetar. Që Edi Ramës nuk ia ka fajin LSI-ja, por babëzia. Edi Ramës nuk ia ka fajin LSI-ja, por ligësia. E shprehur me gjuhën e urrejtjes. Kjo është filozofia politike, ky është karakteri i Ramës, që tha me 25 prill shqiptarët do të zgjedhin karakterin. Edi Rama nuk ka probleme me LSI-në, por me demokracinë. Edi Rama nuk ka probleme me LSI-në, por me Shqipërinë. Ndaj Shqipëria po pret 25 prillin për të larë hesapet me Ramën”, tha nënkryetari i LSI-së.

DEKLARATA E PLOTË PËR MEDIAT E ZËVENDËSKRYETARIT TË LSI, LUAN RAMA
Sikurse e keni vënë re, motra dhe vëllezër, prej ditësh Kryeministri vetë, por me porosi dhe me urdhër të tij, edhe çeta e eunukëve të tij të pushtetit, nuk po e ndajnë nga goja refrenin e dëshirës së tyre paranojake për të zhbërë LSI-në dhe siç thotë Kryeministri i kompleksuar dhe i frikësuar: ‘për ta çuar atë për skrap!’
Natyrisht gjuha e urrejtjes, mllefi dhe armiqësia ndaj një pjese të shqiptarëve, siç është armata e gjerëve e anëtarëve, mbështetësve, votuesve dhe simpatizantëve të LSI-së, nuk është një gjë e re në karakterin e Kryeministrit dhe as në natyrën e tij.

Ajo është në thelb e gjithçka ai përfaqëson, jo vetëm për anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së, por për të gjithë qytetarët shqiptarë, natyrisht përjashtuar atë pakicë eunukësh që e ndjekin atë nga pas për shkak të lidhjeve korruptive apo interesave kriminale.
Duke u marrë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, me anëtarët, me simpatizantët, me votuesit e saj të shumtë, Edi Rama nuk mund ta fshehë dështimin e tij në qeverisje, nuk mund të fshehë realitetin e dhimbshëm, varfërinë dhe korrupsionin që e ka pllakosur dhe që po e mban të mbërthyer për fyti Shqipërinë, sepse ky realitet, pra e vërteta e dhimbshme tej fasadës së propagandës së tij, nuk mund të fshihet as kronika si ato që u transmetuan pak më parë dhe as pas maskave me lule që ai i ndërron çdo ditë.

Për më shumë le t’ju sjell në vëmendje vetëm një kronikë të përgatitur nga disa kolegë gazetarë në Vlorë, për të parë se cila është e vërteta, cili është realiteti që fshihet pas demagogjisë dhe pas retorikës së tij bajate.
Natyrisht nuk kanë nevojë për koment, se pamjet flasin vetë, por le të dëgjojmë çfarë thonë qytetarët, në këtë zonë që është vetëm pak metra prapa pallateve të ‘Lungo Mares’, apo në zonën që njihet si lagjja ‘7 pallatet’.

Pra, duket qartë, të dashur qytetarë, motra dhe vëllezër shqiptarë, që Edi Ramës nuk ia ka fajin LSI-a, Edi Ramës ia ka fajin babëzia. Edi Ramës nuk ia ka fajin LSI-a, por Edi Ramës ia ka fajin ligësia, ligësia e shprehur edhe përmes gjuhës së tij të urrejtjes dhe të armiqësisë, për të përveçuar një pjesë të shqiptarëve e për të ndërsyer ndaj tyre pjesën tjetër.

Kjo është filozofia politike, ky është karakteri i Edi Ramës, duke qenë se tha që më 25 prill shqiptarët do të zgjedhin karakterin. Po, Edi Rama nuk ka probleme me LSI-në, Edi Rama ka probleme me demokracinë. Edi Rama ka probleme me integrimin evropian të Shqipërisë, të cilin e ka zënë peng, e ka bllokuar dhe sabotuar. Edi Rama nuk ka probleme me LSI-në, Edi Rama ka probleme me Shqipërinë, ndaj Shqipëria mezi pret 25 prillin për të larë njëherë e mirë problemet dhe hesapet me Edi Ramën.
Faleminderit!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb