Zëvendëskryetari i LSI, Luan Rama, deklaroi në rubrikën “Opinion”, në News24, se lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë edhe në këto zgjedhje forca përcaktuese e mazhorancës së re.

“LSI do të jetë gjithmonë, do të jetë edhe në këto zgjedhje forca përcaktuese e mazhorancës së re. Do të jetë forca që do të inspirojë një qeverisje për qytetarët dhe në funksion të qytetarëve”, tha Rama

Më tej, ai komentoi sërish deklaratën e kryeministrit Edi Rama se e gjithë politika e opozitës është një “Po*dhë”, duke thënë se “Prej kohësh ka një thyerje, një rënie, edhe në stilin e artikulimit të kryeministrit, i cili shfaqet nervoz, në gjendje depresive, krize e paniku, gjë që reflektohet edhe me gjuhën që ai përdor. Pikërisht ky intensitet gjuhësor prej paniku i kryeministrit më shtiu të bëj shkrimin. Lexohet një krizë e madhe koshience e vetes së vetë në raporton me publikun. Kryeministri është një shëmbëlltyrë, një model, dhe në cdo fjalë që thotë, në cdo mesazh që duhet të përcjellë, duhet të ketë parasysh jo thjesht vetveten, ku është mësuar të flasë me banalitete e vulgaritete, por duhet ta kontrollojë veten për të folur me standarde me qytetarët. Këto janë norma që duhet t’i ketë cdo qytetar, ndërsa cdo politikan duhet ta ketë të shenjtë etikën e komunikimit me qytetarët. E kuptoj që jemi përpara zgjedhjeve, që janë ballafaqimi i qeverisjes me qytetarët, por kjo nuk i jep të drejtë që të artikulojë fjalë që do t’i vinte turp t’i dëgjonte. Këto janë shenja të një krize paniku, deformimi karaktero-patik. Ai është një subjekt interesat për psikoanalistët, psikologët, neurologët, dhe është një model për të parë cdo të thotë deformim në mendim i artikuluar si deformim gjuhësor dhe i shprehur si deformim etik”.

Largimi i Panaritit nga LSI…
Nuk kam kontaktuar personalisht me të, di aq sa lexova teksa po vija këtu. Diku lexova që është ftuar të punojë në Presidencë. Dua të them që z.Panariti është një figurë me dimensione intelektuale dhe me integritet të spikatur, me kontribut të vyer në LSI, brenda radhëve të saj, në përfaqësimin qeverisës dhe parlamentar, por është edhe një intelektual, pedagog, shkencëtar në fushën e vet. I shpreh mirënjohje dhe falënderim për kontributin dhe jam i bindur se efekti dhe pesha e angazhimit të tij intelektual dhe qytetar do vazhdoj të jetë dobiprurëse.

Ju dëmton juve si LSI largimi i tij?
Edhe partitë janë një organizëm i gjallë, kanë proceset e veta. Njerëz që mbyllin karrierën, që largohen, të rinj që vijnë e ofrohen, është një proces ndërveprues. Pavarësisht nga largimi i tij i drejtpërdrejtë në LSI, ndikimi dhe kontributi i tij do vazhdojë të jetë dobirprurës për LSI-në.

A është gati LSI për zgjedhjet?
Kemi qenë gati shumë kohë më parë dhe padyshim që po punojmë për të sfiduar jo thjesht ambicien tonë, por një realitet. Zgjedhjet e 25 prillit nuk janë zgjedhjet e radhës për të bërë rrotacionin politik, por janë një moment përgjegjësie ku qytetarët do duhet të shprehin vendosmëri dhe ndjenjë të lartë angazhimi qytetar për të mbyllur një kapitull të qeverisjes abuzive, korruptive. Jemi në fazën ku qytetarët do të bëjnë gjykimin dhe do të vendosin për ndryshimin.

Ju si opozitë a keni gati ofertën tuaj për njerëzit?
Padyshim, ne jemi në një proces të vazhdueshëm komunikimi me qytetarët, pavarësisht situatës së pandemisë. Jemi në kontakt për të ofruar modelin ndryshe, modelin që qytetari të kuptojë se ai është pikësëpari zot i vetëvetes, që ai ka të drejtë të kërkojë, të vendosë, të zgjedhë.

LSI forcë e sata del në zgjedhje?
LSI do të jetë gjithmonë, do të jetë edhe në këto zgjedhje forca përcaktuese e mazhorancës së re. Do të jetë forca që do të inspirojë një qeverisje për qytetarët dhe në funksion të qytetarëve. Ne nuk e bëjmë llogarinë thjesht dhe vetëm cfarë do të bëjë LSI, por i gjithë fronti opozitar që do të fitojë zgjedhjet.

Përcaktues i mazhorancës së re, cilado qoftë ajo?
Për mazhorancën e re të qytetarëve dhe të opozitës si institucioni, zëdhënës, i interesit të tyre dhe mbrojtjes së interesit të qytetarëve.

Kjo ofertë politike do të jetë e përbashkët apo e veçuar?
Prej kohësh është formësuar fronti opozitar dhe secili në frontin e vet në fund të fundit do të bëjë të mundur që gjithë rrjedha e kësaj lëvizjeje për ndryshim dhe për të fituar zgjedhjet të konkludojë me atë që presin qytetarët, por edhe pjesa dërrmuese e socialistëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb