Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama ka takuar në Londër ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lordin Robertson.

Ka qenë vetë Luan Rama që ka njoftuar për takimin me lordin britanik.
“Ishte një kënaqësi e madhe për mua të takoja sërish pas 16 vjetësh një mik të vyer të Shqipërisë, ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lordin Robertson, me të cilin kam patur fatin të kem një bashkëpunim shumë të mirë gjatë periudhës kur shërbeja si Ministër i Mbrojtjes në vitin 2002, në qeverinë e Kryeministrit Pandeli Majko”, është shprehur Luan Rama.

Ai ka treguar më tej bisedën me lordin Robertson. “I ftuar për të folur në Seminarin Parlamentar për Ballkanin Perëndimor ku bashkë me kolegen Mimi Kodheli përfaqësojmë Kuvendin e Shqipërisë, Lordi Robertson nënvizoi idenë se është shumë e rëndësishme të nxjerrim mësim nga e kaluara dhe të mos heqim dorë nga përvojat e suksesshme të së shkuarës. Praktika kur një gjeneratë e re politike që vjen në qeverisje, e fillon çdo gjë nga zeroja, është e gabuar dhe e dëmshme, theksoi ai.
Ndërkaq, nga fjala e Lordit Robertson dua të veçoj në ligjëratë të drejtë shprehjen: ‘Krimi më i madh që mund të bëjnë politikanët, është të neglizhojnë rreziqet!'”, thotë më tej nurmi dy i LSI-së

Sipas tij, gjatë bisedës me Lordin Robertson, ai u interesua për zhvillimet në Shqipëri dhe nënvizoi domosdoshmërinë e forcimit të rolit të Shqipërisë si një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb