Universiteti Luarasi vazhdon të surprizojë me risi dhe bashkëpunime të fuqishme me kompanitë më prestigjioze në tregun e punës. Në fakultetin më të ri të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit, studentët e vitit të parë në nivelin Bachelor janë njohur me akademinë Mikrotik.

Kjo akademi do të ofrojë kombinimin e teorisë me praktikën si dhe qasjen e studentëve me bizneset që operojnë në fushën e teknologjisë. Dritan Vreshta, administrator në një prej kompanive në fushën e networkut dhe internetit, iu ka shpjeguar të rinjve mundësitë e arta që do t’u ofrohen nëpërmjet këtij bashkëpunimi që është drejt finalizimit.

“Mikrotik Akademi është një teknologji që përdoret në networking, e cila përdoret në të gjitha vendet e botës. Luarasi të jetë universiteti që do prodhojë kuadrot më të mira për tregun shqiptar dhe të huaj që realisht ka shumë nevojë për këto specialitete”, tha Vreshta.

Akademia Mikrotik do t’u vijë në ndihmë të gjithë studentëve të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit në universitetin Luarasi që të praktikojnë njohuritë sipas një programi që aplikohet në shumë universitete prestigjioze në mbarë botën. Dritan Vreshta thekson se në fund të praktikës, studentët do të pajisen me një certifikatë që do të njihet jo vetëm në shqipëri, por edhe në nivel global.

“Studentët do të kenë mundësi që të praktikojnë njohuritë që do të marrin në lëndën e network-ut duke u bazuar në programin e Mikrotik Akademi dhe në fund të këtij programi, në fund të kësaj lënde studentët të kenë të mudnësi jo vetëm të dinë si të konfigurojnë një network por të kenë mundësi të aplikojnë për një certifikatë. Kjo certifikatë njihet për tre vite rresht në të gjithë botën”, tha Vreshta.

Zv/rektorja për kërkimin shkencor në Luarasi, Anni Dasho Sharko tregon se synimi kryesor është përgatitja e profesionistëve në tregun e punës, çka do të arrihet nëpërmjet krijimit të akademive Cisko, Microsoft dhe Mikrotik.

“Ajo që do të jetë prioritet janë akademitë të cilët do të jenë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit. Akademia e parë është akademia Cisko, akademia Microsoft dhe sot kemi pasur një pjesë lecture nga akademia Mikrotik, duke bërë të mundur përshtatjen sa më shumë të studentëve tanë me teorinë dhe praktikën, duke bërë të mundur që biznesi të jetë sa më pranë nesh. Duke bërë të mundur që studentët tanë të jenë praktikë dhe gjatë viteve, 3-vjeçarit të Bachelor-it”, tha Zv/rektorja për kërkimin shkencor në Luarasi.

Institucioni elitar Luarasi vazhdon hap pas hapi me plane të mirëmenduara për të bërë të mundur përgatitjen maksimale të studentëve. Në 1 nëntor, Mikrotik do të mbajë të parin simpozium në Shqipëri, e të rinjtë që studiojnë në Luarasi do të shikojnë praktikisht sesi funksionon fusha e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb