Nga Aurora Golemi

TIRANË- Kolegji Universitar “Luarasi” tashmë iu jep mundësinë të ndiqni studimet në ciklin e dytë, në programet master profesional “Për sigurinë dhe rendin publik”, si dhe në masterin për “menaxhimin e sigurimeve”. Të dy masterat janë risi në sistemin e lartë arsimor shqiptar dhe ofrohen për herë të parë ekskluzivisht vetëm nga Luarasi

“Këto dy mastera janë shumë të rëndësishëm, janë simbol i bashkëpunimit të institucionit tonë me nevojat e ekonomiste së tregut. Unë besoj se në këto dy mastera do të merrni njohuri që do t’ju shërbejnë në punët tuaja. Faleminderit që keni zgjedhur universitetin tonë”, shprehet profesor  Et’hem Ruka, rektor i KU Luarasi.

Sa i përket tregut të industrisë së sigurimeve Shqipëria ka shumë nevoja sa i përket strukturimit të tregut si dhe të rritjes së cilësisë

“Për herë të parë në Shqipëri kemi një master profesional 1-vjeçar që lidhet me menaxhimin e sigurimeve. Kompanitë e sigurimeve kanë qenë shumë të interesuara. Në kursin e parë të sapo hapur të masterit një pjesë e madhe e studentëve punojmë në tregun e sigurimeve dhe duan të rrisin aftësitë dhe kapacitetet e tyre që në Shqipëri të përmirësohet tregu i sigurimeve si dhe gama e produkteve që duhen ofruar. Një nga objektivat e këtij masteri është të formojë sa më shumë profesionistë. Industria e sigurimeve është në zhvillim e sipër  fazën embrionale në vendin tonë. Kërkojmë që edhe këtu kjo industri të rritet duke e zhvilluar ekonomikisht vendin”, theksoi profesor Mateo Spaho, dekan i Fakultetit Ekonomik KU Luarasi.

Mbështetje kursi i parë i sapo çelur i masterit profesional për menaxhimin e sigurimeve ka marrë nga presidenti i Eurosig zoti Kadri Morina.

“Pasi dëgjoj për intervistat që punonjësit hyjnë në punë, ndër to dëgjoj financë banke. Më vjen keq që stafet akademike e kanë harruar industrinë e sigurimeve. Më vjen mirë për ata që kanë zgjedhur këtë master profesional pasi është vlerë e shtuar për të gjithë këta punonjës që janë sot këtu studentë. Vlerë të shtuar ka pjesa teorike për sigurimet”, tha Kadri Morina, president i Eurosig.

Sakaq kreu i bordit te autoritetit te mbikëqyrjes financiare Pajtim Melani tha se kushdo qe ndjek studimet master për menaxhimin e sigurimeve i ofrohen mundësi te mëdha ne tregun e punes ne kete industri që po rritet me shifra dyshifrore,

“Inkurajoj të gjithë kompanitë e sigurimeve të sjellin punonjësit në këtë master, por kompanitë mund të marrin nga ky universitet edhe studentët më të mirë apo tregu ka shume nevojë”, shprehet Pajtim Melani, Kryetar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Ndërkohë Fakulteti i Drejtësisë tek Luarasi ofron master profesional shumë të kërkuar nga punonjësit e strukturave të sigurisë së rendit publik dhe privat. Programi më i ri ka për qëllim të nxjerrë ekspertë në çështje të studimeve strategjike dhe të sigurisë ku target grupi janë uniformat blu apo efektivët e Forcave të Armatosura shqiptare

“Dega e re e studimit master profesional ‘Për sigurinë dhe rendin publik’ është një risi e ofruar vetëm nga Kolegji Universitar ‘Luarasi’ pas kërkesave të shumta të të interesuarve pas studimit të tregut. Ky master profesional erdhi si nevojë e domosdoshme e kërkesave të tregut dhe kërkesave që kishin studentët sivjet. Mund të them që masteri ‘Për sigurinë dhe rendin publik’ ishte një nga masterat, të cilin ne pasi studiuam tregun, e pamë që asnjë fakultet tjetër, asnjë universitet apo kolegj universitar, privat apo publik nuk e ofronte këtë program studimi. Target- grupi që ka shprehur më tepër interes për të ndjekur këtë master janë të gjithë punonjësit e policisë, ata që shërbejnë në forcat e armatosura”, thotë Dekania e Fakultetit të Drejtësisë profesore Rezana Konomi.

Të dy masterat në fjalë zgjasin vetëm një vit akademik drejtuesit e Luarasit thonë se me dhjetëra studentë që janë në pune po ndjekin masterat profesional pasi përfitojnë nga kohëzgjatja e shkurtër dhe njëkohësisht fitojnë një specializim të caktuar që ua kërkon vendi i tyre i punës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb