Universiteti “Luarasi” i ka dhënë sot titullin “Doktor Honoris Causa” dy personaliteteve të veçanta shqiptare, trajnerin kosovar, Driton Kuka si dhe zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Gjatë fjalës së tij rektori i “Luarasit”, Et’hem Ruka pohoi se kanë zgjedhur dy figura dhe personalitete me emra arbnor, që kanë dhënë kontributin e tyre në fushat që përfaqësojnë.

“Mirëserdhët, zoti Driton Kuka dhe zoti Dritan Abazoviç. Ju jeni të ftuarit që do të nderoheni me titullin e lartë “Doktor Honoris Causa”. Faleminderit ambasadorëve të pranishëm dhe zotit Irfan Hysenbelliu, presidenti i ‘Hysenbelliu Group”. Ne identifikuam dy personalitete të veçantë, Kukën dhe zotin Abazoviç. Studiuam karrierat e tyre. Koincidencë e bukur që të nderosh në të njëjtën ditë nëntori, në këtë muaj të shenjtë, dy personazhe që kanë të njëjtin emër, Dritonin dhe Dritanin, që në gjenezën e tyre kanë emrin arbnor ‘dritë’ si mision për të shpërndarë dritën e dijes për të ardhmen e sigurt të të rinjve tanë. Modelet e suksesit nuk gjenden lehtë. Ne gjetëm Driton Kukën, kampion në sport, trajner dhe si njeri. Frymëzues për promovimin e imazhit të Kosovës. Dikush mund të thotë se pse një universitet zgjedh që të zgjerojë një personazh si Dritani,. Përgjatë jetës sot në Xhudo gjejmë kundërshtarë. Armiku mund gjendet dhe në personalitetin tonë, frika, egoizmi, egocentrizmi, që duhen mundur. Po kjo është e vërtetë.

Lufta më e vështirë është me veten, pastaj me kundërshtarët. Zoti Driton Kuka mori dritën aziatike të botës së xhudos, duke ndërtuar shkollën e vetë sportive. Kjo është përvojë unikale dhe historia ka folur dhe do të flasë më shumë. Po ashtu dhe Dritan Abazoviç është një tjetër model suksesi. Ai ka zgjedhur që të luftojë për një shtet të fortë dhe kundër të fortëve, ku duhet të respektohen dhe të drejtat e njeriut. Vetëm një njeri mendje hapur mund të luftojë për parime të tilla që janë të shenja për filozofinë europiane. Ballkani ka nevojë për aktivistë të tillë të rinj si Dritani, që bëhen bashkëpunues për shprehjen e identitetit. Ai ka startuar një karrierë të shkëlqyer politike. Ai është zv/kryeministër i Malit të Zi që ka mbrojtur dhe vazhdon të mbrojë drejtimin euroatlantik. Ne si universitet kemi hedhur hapat e para të bashkëpunimit me universitetet në Malin e Zi. Universiteti ‘Luarasi’ është model suksesi. Është universitet me besueshmëri publike, që mban një emër domethënës në historinë e arsimit shqiptar. Të gjithë së bashku po japim bekimin për vazhdimësinë e karrierave të Dritonit dhe Dritanit. S’më ngelet gjë tjetër, që të shprehja mirënjohjen për praninë tuaj. Na ndërtuat shumë në këtë ditë të veçantë nderimi, për dy miqtë, zotin Kuka dhe zv.kryeministrin Abazoviç.”, tha Ruka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: