Në ambientet e Kolegjit Universitar “Luarasi” është mbajtur një leksion i hapur për paktin detar me Greqinë, nga analisti shqiptaro-amerikan i çështjeve ballkanike, Agron Alibali. E vërteta e paktit detar me Greqinë doli në dritë pas një alarmi të lëshuar nga gazetarët e “Gazeta Shqiptare”, të cilët investiguan dhe zbuluan në kohë rekord përmbajtjen e tij dhe e bënë publike menjëherë të nesërmen e nënshkrimit të marrëveshjes, më 28 prill 2009.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Greqia i rrëmbente Shqipërisë rreth 300 km katrorë det. Por, denoncimi në media, reagimi i opozitës e publikut dhe në fund vendimi i Gjykatës Kushtetuese e hodhi poshtë marrëveshjen si të papajtueshme me Kushtetutën në vitin 2010. Sot, pakti detar mes Greqisë dhe Shqipërisë mbetet një çështje e hapur për palën greke, ndërsa për atë shqiptare, vendimi është marrë e marrëveshja nuk ekziston.

Luarasi

Në leksionin e hapur, analisti Alibali u tha studentëve se nëse pala greke ngul këmbë në parametrat e mëparshëm, të hedhura poshtë nga Gjykata Kushtetuese, atëherë çështja duhet të zgjidhet nga një palë e tretë ndërkombëtare.

“Pala greke, ashtu edhe ajo shqiptare janë para një shansi historik që të krijohet një zgjidhje e problemeve të akumuluara prej vitesh, kryesisht prej qasjeve nacionaliste nga pala greke. Negociatat besoj kanë qenë të një besimi të mirë. Vetë fakti që po bisedohet është shumë pozitiv. Kotzias dhe Bushati janë të dy diplomatë me përvojë dhe vizionarë”, – u shpreh analisti.

Më tej, ai theksoi se ligji i gjendjes së luftës duhet hequr nga tryeza, pasi e ka vlerësuar si një relikë të historisë, që është në dëm të palës shqiptare nga ana civile. “Palët kanë tagrin që të lidhin marrëveshjet mbi bazën e kushteve që zgjedhin. Pra, vullneti i palëve është parësor, thelbësor. Kur palët nuk arrijnë të bien dakord, atëherë duhet një palë e tretë. Konventa apo Kushtetuta e detit përcakton tri forume: Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, tribunalin e Hagës dhe Gjykatën e së Drejtës në Hamburg. Nëse pala shqiptare dhe ajo greke nuk arrijnë në një marrëveshje të re, atëherë çështja duhet të zgjidhet në Gjykatën e Arbitrazhit në Hagë”, – shtoi në fjalën e tij Alibali.

Më tej, ai tha se ishte pala greke, ajo që ushtroi trysni ndaj palës shqiptare e kjo solli që pozitat të mos ishin të barabarta e me vullnet të lirë, por të disfavorshme. Në Kolegjin Universitar “Luarasi” u zhvillua jo vetëm një takim shkencor, por edhe kombëtar në prag të festave të 28-29 nëntorit me pjesëmarrjen edhe të studentëve të universitetit “Haxhi Zeka”, Pejë. Gjithashtu, studentët kanë organizuar edhe një konferencë lidhur me çështjet e menaxhimit të strukturave rinore dhe lidershpit. /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb