TIRANE

Edhe këtë vit, studentët e Universitetit “Luarasi” janë solidarizuar dhe i janë bashkuar nismës së dhurimit të gjakut, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar. Që prej themelimit në vitin 2003, ky institucion i arsimit të lartë ka treguar një sensibilizim maksimal për t’i ardhur në ndihmë personave që kanë nevojë për gjak. Prej dy ditësh, holli i “Luarasi-t” është shndërruar në një qendër dhurimi gjaku ku të rinjtë kanë shfaqur interes të lartë për të dhënë kontributin e tyre. Rektori i këtij universiteti, prof. dr. Et’hem Ruka, i bën thirrje të gjithë studentëve që t’i bashkohen fushatës së dhurimit të gjakut.

Nën sloganin “Dhuro gjak, shpëto një jetë”, radhëve të studentëve i është bashkuar edhe stafi akademik e administrativ i “Luarasi”. Pedagogu i Fakultetit të Drejtësisë në këtë universitet, Ernest Balili thekson se dhurimi i gjakut është një akt human për të ndihmuar sadopak njerëzit që kanë nevojë.

Universiteti “Luarasi” vazhdon të ndjekë traditën për nxitjen e vlerave humane te studentët. Nëpërmjet akteve të tilla, ky institucion dëshmon edhe njëherë se do të përgatisë jo vetëm profesionistë lider në tregun e punës, por edhe qytetarë model në shoqërinë shqiptare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb