TIRANE

“Metodat e Avancuara të Kërkimit Shkencor” është libri më i ri që i është shtuar radhëve të botimeve shqiptare nga pedagogu i “Luarasi”, dr. Nazmi Xhomara. Stafi akademik dhe studentët e universitetit ku profesori jep mësim, kanë pasur mundësinë të jenë pjesë e promovimit të këtij libri të veçantë. Në fjalën e tij, Xhomara falenderoi të gjithë të ftuarit për pjesëmarrjen dhe më tej u shpjegoi pse lindi nevoja e publikimit të librit.

Rektori i Luarasi, prof. dr. Ethem Ruka e vlerësoi këtë libër si unikal përsa i përket kulturës së kërkimit në Shqipëri. Ai shtoi se botimi do ti vijë në ndihmë studiuesve të të gjitha fushave.

Autori i “Metodat e Avancuara të Kërkimit Shkencor”, dr. Nazmi Xhomara tha se kërkimet e mirëfillta shkencore janë një sfidë për Shqipërinë. Në ndihmë të autenticitetit, profesori sjell këtë libër si një udhërrëfyes për kryer hulumtime e studime të mirëfillta.

 Pedagogu prof. dr Ëngjëll Pere i cili ka shkruar parathënien e librit tregon se cilat janë elementët kryesorë për një kërkim shkencor. Ndërsa zv. rektorja e Luarasi, Anni Dasho Sharko thekson se universiteti ka sjellë një vizion ndryshe për pedagogët përsa i përket rolit të studimeve e hulumtimeve.

“Metodat e Avancuara të Kërkimit Shkencor” synon të zhvillojë tema të strukturuara e madje  përmban shumë referenca nga autorët më në zë të kësaj fushe. Libri do të shërbejë si një bazë e rëndësishme metodologjike për të gjithë studentët Bachelor, Master dhe Doktoraturë, si edhe për studiuesit për të krijuar dhe zhvilluar kërkime sasiore dhe cilësore, bazike dhe të aplikuara në disiplina të ndryshme shkencore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb