Pas një pune intensive të vazhdueshme me akademikë vendas e të huaj, universiteti “Luarasi” ka organizuar këtë të mërkurë konferencën e tetë shkencore ndërkombëtare.
“Politikat e integruara në kërkim dhe inovacion” ka qenë tematika kryesore rreth së cilës është diskutuar, duke ndjekur traditën e konferencave mbi hulumtimin e kërkimin shkencor.

Personalitete të shquar ishin të ftuar në këtë event, ndër ta edhe ambasadori i Republikës Popullore të Kinës z. Zhou Ding si dhe ambasadori i Rumanisë, z. Mircea Perpelea.
Në fjalën përshëndetëse, rektori i “Luarasi-t”, profesor doktor Ethem Ruka shprehu falënderimet e tij për të ftuarit e organizatorët e konferencës. Ai theksoi se universiteti do të punojë më tej për thellimin e kërkimit shkencor.

Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës, z. Zhou Ding u shpreh optimist për të ardhmen e Shqipërisë duke shtuar se potencialet e vendit tonë mund të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Luarasi është një ndër universitetet lider në Shqipëri e është një nder për mua të jem sot këtu dhe të marr pjesë në këtë konferencë ndërkombëtare. Mendoj se Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha dhe mendoj se ka mundësinë për më shumë prosperitet dhe zhvillim ekonomik. Besoj se kjo konferencë do të sjellë më shumë ide sesi Shqipëria mund të shkojë përpara. Si ambasadori dhe mik i Shqipërisë, jam shumë optimist për të ardhmen e këtij vendi. Infrastruktura, energjia, turizmi, dhe edukimi janë disa nga fushat potenciale ku Republika Popullore e Kinës mund të punojë me Shqipërinë”, tha ambasadori z. Zhou Ding.

Për ambasadorin rumun, z Mircea Perpelea, investimi te njerëzit dhe ofrimi i aksesit në shëndetësi dhe arsim cilësor janë dy nga pikat kyçe për zhvillimin e një vendi.
“Është një kënaqësi për mua të jem në Luarasi pasi këtu ndihem si në shtëpi. E ardhmja i përket brezit të ri dhe mendoj se kërkimet janë një ushtrim për edukimin e të rinjve. Esenca e ekzistencës sonë duhet të jetë e bazuar në kualitet. Viti 2019 është një vit i ndryshimeve te mëdha por duhet të jetë një vit i vazhdimësisë. Agjencia Europiane shënohet nga shume sfida dhe ne duhet të përgjigjemi me kohezion dhe solidaritet. Për më tepër ne duhet të investojmë tek njerëzit për t’u bërë më kompetitive. Ne duhet t’u mundësojmë njerëzve akses në shëndetësi cilësore dhe arsim”, u shpreh ambasadori rumun.

Profesor Gaetano Dammacco, nga Universiteti “Aldo Moro” i Barit të Italisë u shpreh i gatshëm për të vijuar punën e përbashkët me Luarasin mbi inovacionin. Ndërkohë, dekani i Drejtësisë në Universitetin e Tiranës Artan Hoxha dhe dekani i Ekonomikut, Dhori Kule, theksuan se akademikët duhet të luajnë rolin e tyre për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Sfida e së ardhmes është të bëjmë një pakt për inovacionin duke përdorur rezultatet e kërkimit për të zhvilluar sistemin. mendoj se kjo konferencë shërben për të punuar së bashku në këtë drejtim. Unë do të jap kontributin tim duke bashkëpunuar me universitetet shqiptare dhe veçanërisht me universitetin Luarasi”, tha profesor Dammacco.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca vlerësoi përpjekjet e universiteteve për të hulumtuar, në një kohë që drejtori i Përgjithshëm i Microsoft Albania, Sokol Vladi vuri theksin mbi inteligjencën artificiale. Pas përfundimit të seancës plenare, u mbajtën edhe 3 panele referimi me tematika të larmishme nga profesorë vendas dhe të huaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb