Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi në bashkëpunim me Universitetin Luarasi, shfaqën filmin dokumentar “Nuk do të ketë më natë”.
Filmi i regjisores Eleonor Ueber bazohet në regjistrimet në video, të kryera nga forcat e armatosura amerikane dhe franceze në Afganistan, Irak dhe Siri. Ai u jep një tjetër drejtim këtyre imazheve propagandistike, dhe tregon se deri ku mund të çojë dëshira për të parë, kur përdoret pa kufi.
“Akte të tilla që sjellin një lloj përgjegjësie, ndaj vetë atyre autoriteteve që i disponojnë qofshin urdhrat qofshin pajiste a fatet njerëzore, filmi ka pasur një lloj jehone në festivale të ndryshme dhe është bërë objekt debatesh.
Filmi që ndjek dy pilotë që kryejnë bombardime ndaj terroristëve nxiti një forum te universiteti Luarasi, që në programet e tij të studimit përfshin edhe sigurinë kibernetike”, tha Kujtim Çashku, kryetar i festivalit IHRRFA.
“Dronët sot funksionojnë mbi bazën e inteligjencës artificiale por nëse ato bëhen më të vetëdijshëm dhe marrin vendime vetjake, dhe vendosin, mund të bëhen edhe të rrezikshëm. Meqenëse kemi hapur akademinë e Sigurisë kibernetike, jemi në të njëjtën fushë. Ne me 4 tetor hapim kurset e para dhe numri i atyre që janë regjistruar, ka dalë përtej pritshmërive tona. Jam i bindur që pasi të dalë gjenerata e para dhe ta kuptojnë se çfarë të mirash vijnë nga certifikata që ata do të marrin, Akademia do të vazhdojë edhe me gjeneratat të tjera”, tha rektori Ruka.
Sa i takon përdorimit të dronëve në vendin tonë, foli specialisti i Ministrisë së Brendshme Aleksandër Shyti
“Përdorimi i rasteve në këtë rast do të jetë për qëllime civile. Ka shumë aplikime, për makinat që lëvizin me shpejtësi në autostradë, ndjekjen e tyre, për kufirin. Por që do jenë për qëllime civile, jo për qëllime ushtarake”, tha Aleksandër Shyti, ekspert i sigurisë kibernetike.
Forumi i specialistëve të fushave të ndryshme, arriti në përfundimin se baza ligjore dhe kriteri i përdorimit të inteligjencës artificiale dhe teknologjisë, do t’i shërbente shoqërisë por duke pasur gjithnjë kujdes. Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të drejtat e njeriu vazhdon deri në fundjavë.