Për fakultetin e drejtësisë në universitetin “Luarasi” është shumë e rëndësishme që profesionistët e së drejtës si juristët, gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm të marrin njohuri mbi të drejtat e njeriut që në fillim të ciklit të tyre të arsimimit.

Universiteti “Luarasi” ftoi Qendrën Europiane dhe Rrjetin për Shtetin e së Drejtës së Ambasadës Holandeze për të zhvilluar një trajnim dy ditor me studentët e drejtësisë mbi lirinë e shprehjes, të drejtën për informim dhe gjuhën e urrejtjes.

Sipas ekspertes së të drejtave të njeriut Ina Xhepa, projekti ka si qëllim thellimin e njohurive teorike dhe praktike të studentëve të drejtësisë, mbi Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut.

Pedagogia Dorina Gjipali, përgjegjëse e Departamentit Publik në Fakultetin e Drejtësisë tek “Luarasi” shprehet se trajnimi intensiv, ka qëllim përmirësimin dhe thellimin e njohurive të studentëve të drejtësisë, si juristë të ardhshëm, mbi Standardet Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Duke e lidhur trajnimin e studentëve me aktualitetin, pedagogia thotë se në shoqërinë shqiptare, gjuha e urrejtjes ka ndikime negative në përditshmëri madje edhe me pasoja fatale. Qendra do të organizojë trajnime dy ditore edhe në universitete të tjera të drejtësisë në Shqipëri dhe Kosovë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb