E ndërsa analisti Fatos Lubonja e cilësoi kryeministrin Edi Rama si ‘të ikur nga fiqiri’ për ndryshimet që po i bën godinës së kryeministrisë, kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar me një video ndaj akuzave. Rama nuk ka përdorur shumë fjalë si rrallëherë por ka replikuar me anë të një video mbi mjedisin e rikostruktuar të Kryeministrisë, të cilin e “inaguroi” kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Në faqen e tij në Facebook, Rama thekson se “COD (Center for Openness and Dialogue) është mjedisi i transformuar i katit të parë të kryeministrisë, nga një korridor i errët me zyra të mbytura nga lagështia ku dergjeshin materialet arkivore të qeverisë, bashkë me rraqe gjithëfarë mes pluhurit e pisllëkut shumëvjeçar, në një hapësirë që do të jete edhe e publikut, artistëve, botuesve, studiuesve, studentëve e nxënësve, si dhe atyre që duan të ballafaqojnë hapur me qeverinë argumentat e protestave të tyre kundër qeverisë.

Jeta e COD që do të vijojë gjatë gjithë ditëve të javës duke nisur nga fillimi i vjeshtës, ka nisur me kontributet bujare të tre artistëve të mëdhenj ndërkombëtarë, Philipe Parreno, Karsten Holler, Thomas Demand, si edhe me vizitën historike të kancelares Angela Merkel. E cila e çmoi si inovacion mbresëlënës kthimin e katit të parë të godinës së qeverisë në një mjedis dialogu e komunikimi me publikun përmes larmisë së formave të komunikimit.

Bashkëngjitur mund të shihni të përmbledhur në pak çaste transformimin rrënjësor të një mjedisi të degraduar prej vitesh të tëra, në një hapësirë komunikimesh e ndërveprimesh të larmishme mes politikes, artit, kulturës, qytetit dhe botës.”

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: