Analisti Fatos Lubonja komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, raportin pessimist të BERZH për rënien ekonomike në Shqipëri, gjatë vitit 2020, për shkak të pandemisë.

Lubonja tha se vendi ynë drejtohet nga disa aventurierë dhe ca biznesmenë, që mendojnë vetëm si të ndërtojnë kulla.

Sipas analistit, është e qartë se do të kemi vështirësi këtë vit, duke shtuar se Rama dhe Veliaj po kërkojnë të gjejnë rrugëdalje te trafikantët, me propozimin për të legalizuar kanabisin dhe paratë.

“Për fat të keq këto mesazhe më vijnë si “zë që flet në shkretëtirë”. E them këtë, sepse ndërkohë që ne kemi pësuar dy goditje ekonomike, tërmeti dhe pandemia, kemi ca aventurierë në pushtetë, Rama e Veliaj dhe ca biznesmenë pas tyre, që mendojnë vetëm si të ndërtojnë kulla. Dëgjoj Veliajn që thotë se do të prishë teatrin se na duhet, se nuk kupton që teatri është kultura, që prish shkollën “Sami Frashëri” për disa biznese, sepse duan të bëjnë biznese dhe pasurimin e tyre. Ndërkohë që zëri që flet në shkretëtirë thotë ‘po të ishe familje, do t’i bëje gjithë këto?’ Jo, do ta ruash atë shkollën, teatrin, dhe do bësh edhe të tjerë.

Por, këta kanë aventurën e fitimit dhe kjo është ekonomia e tyre, ekonomi e mbyllur përtej interesave të vendit. Është e qartë që do të kemi vështirësi, jetojmë me turizëm. Kërkojnë të gjejnë rrugëdalje te legalizimi i parave të drogës. Vetëm trafikantët mund të jenë, se emigrantët e dimë sa para mund të kenë. Njëkohësisht edhe legalizimi i kanabisit, që është inkurajim i krimit. Kjo është ekonomia e tyre, këta punojnë me trafikantët, marrin paratë e ryshfetit të tyre, ndërtojnë kulla, pasurohen. Përgjegjëshmëria e tyre është minimale”, tha Lubonja.

Duke u ndalur më shumë te propozimi për legalizimin e kanabisit, analisti Lubonja u shpreh se një gjë e tillë mund të ndodhë në një shtet ligjor dhe shumë të fortë, si dhe në një kulturë shumë të mirë qytetare, por jo në vendin tonë.

“Mendoj që ne na duhet një shtet ligjor, shumë i fortë, që të mund ta legalizojmë, si dhe një kulturë shumë e mirë qytetare. Ndryshe kjo është t’ia shkelësh syrin krimit dhe të zhvillohet në bashkëpunim me këtë industry mjekësore një kultivim i pakontrolluar më nga policia i kanabisit. Këtu pastaj zhduket ai dallimi i një shteti që punon apo për trafikantët.

Legalizimi i hashashit në një shoqëri pa një kulturë të tillë dhe që nuk i ka dhënë mundësi brezit të ri për asgjë, me një rini të deprimuar, do ta cosh edhe më shumë te përdorimi i drogërave, nga ato të lehta te të rëndat. Një shtet trafikantësh, me një shoqëri pa kulturë, mund të cojë drejt degradimit të mëtejshëm”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb