Sipas Fatos Lubonjës, Mid’hat Frashëri është një figurë, jetën dhe veprën e të cilit duhet ta njohin të gjithë shqiptarët.

“Historia e tij është historia e krijimit të Shqipërisë,” thotë analisti në një lidhje Skype me studion e emisionit “Dritare me Rudinën” në News24.

Lubonja shprehet se Mid’hat Frashëri, si kryetar i Ballit Kombëtar, ka pranuar të bashkëpunojë me nazistët, duke menduar se “gjermanët janë kalimtarë ndërsa rreziku kërcënues i komunizmit mund të mbetet”. Sipas tij këtë Frashëri e ka bërë gjatë kohës së revolucionit socialist në Shqipëri.

“ Mua më vjen keq që bëhen të tilla debate për një figurë të atillë. Në Itali ka një kanal më vete që bëhet thellimi i historisë së vendit. Një figurë si Frashëri duhet të ishte në një televizion, të studiohej, të mësohej prej historisë së tij, se historia e tij është historia e krijimit të Shqipërisë. Kushdo që do të mësojë si është krijuar Shqipëria, duhet të njohë jetën dhe veprën e Frashërit. Unë jam nga ata që e kam votuar Frashërin, një shkrim tejet të rëndëishëm që çdo shqiptar duhet ta lexojë është “Çështjet e indipendencës” për mënyrën si duhet bërë Shqipëria nga kaosi i një grumbulli fisesh. Gjithë puna e tij, këtu ka qenë. Aty kuptohet dhe situata ku jemi sot. Në atë shkrim Mid’hati i bën analizë shqiptarit, aty do shohim dhe veten tonë. Problemi është që pas 30 vitesh komunizëm, ne nuk e njohim Mid’hatin. Ne po e përdorim për qëllime politike tani, por nuk e shikojnë jetën e Frashërit dhe nuk e njohin veprën e tij. Duhet ta mësonin në shkollë.

Po të lexosh Frashërin, do shikosh koherencën e tij si patriot. Nuk është zgjedhje e Frashërit ajo që ka bërë në Luftën e Dytë Botërore. Ai vë në dukje në veprën e tij armiqtë e Shqipërisë, grekët dhe serbët. Kemi të bëjmë me një intelektual që ka një projekt. Dhe këtyre armiqve i bashkohet dhe një armik tjetër, bolshevizmi. Përtej zgjedhjes së tij në Luftën e Dytë Botërore, duhet të shohim kontekstin e Shqipërisë. Pushtimi italian e gjerman solli një Shqipëri më të madhe. Një bashkëpunim me serbët konsiderohej për Mid’hat Frashërin e papranueshme. Ai ka qenë anti-komunist, anti-bolshevik.

Paskali tha ky na ka përçarë. Këtu duhet të jemi më të saktë. Ajo që i ka ndarë, ka qenë projekti i revolucionit socialist. Përçarja e parë vjen nga komunistët, dhe bashkëpunimi me gjermanët vjen se vlerësimi i Mid’hat Frashërit, ka qenë se gjermanët janë kalimtarë dhe se komunizmi mund të na mbetet dhe është rrezik i madh,” tha Lubonja.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: