Në emisionin “Kjo Javë”, u diskutua mbledhja e Kongresit të Partisë Socialistë. Për të folur rreth kësaj çështjeje, ishte i ftuar analisti Fatos Lubonja. Ai hoqi një paralele mes kongresit të PS dhe kongreseve të kohës së regjimit monist, ku tha se e vetmja gjë që ka ndryshuar është koha.

“Unë ndjeva pak atmosferën e Kongreseve të Partisë së Punës. Ishte fakti që përjetohej si një ngjarje e rëndësishme e të gjithë popullit, kongresi. Delegatët që vinin nga të gjitha anët, sillnin dëshmitë për punët që kishin bërë, të mirat e popullit dhe angazhoheshin për të mira të tjera që do i sillnin popullit. Të them të drejtën, e tha edhe Balla në fjalën e tij. Ai tha kongreset kanë qenë si punë partie kohë më parë, por kjo është diçka e gjithë popullit. Habitem se si përsëritet kulturalisht, në një shoqëri tjetër, jo në atë autoritare, por në shoqërinë e spektaklit. Jo në ato kongreset burokratike, në tribuna, por me panelet që ishin në natyrë të hapur dhe vinin njerëz nga të gjitha anët. Kishte një regji. E gjitha u udhëhoq nga një regji qendrore. Ti mund të dojë të dëgjoje ndonjërin që të interesonte çfarë po thoshte deri në fund. Por ata e ndërprisnin, rëndësi kishte montazhi që po bëhej, si figurë, spektakël, jo si përmbajtje. Në këtë aspekt mendoj që kështu ishte dhe pjesa tjetër”, tha Lubonja.

Lubonja tha se mungonin zërat kritikë në kongres dhe i vetmi zë kritik sipas tij, Erion Braçe, iu ndërpre fjala disa herë nga regjia qendrore.

“E pash në ato panelet. I lihej përgjysmë fjala dhe kalonte fjala te të tjerët. Braçe shërben si dekori i një partie që bën autokritikë. Dëgjuat fjalë për korrupsionin. Ne po dëgjojmë skandal të inceneratorëve dhe aty dëgjohet një njeri i shqetësuar një delegat i kongresit. Kjo ishte arroganca e një partie që qëndron gjatë në pushtet. Ishte një shtirje e madhe kombëtare, e imponuar. Ky kongres, kjo parti me të gjithë pompën e vet të madhe mediatikofinanciare, propagandistike, kërkon të mbulojë një dështim shumë të madh. Më bëri përshtypje se tha Rama, ai tha që kemi pasur një opozitë jo serioze historikisht dhe Shqipëria do të ishte ndryshe po të kishim pasur opozitë serioze. Por problemi qëndron që këta që e quajnë veten seriozë, janë më pak seriozë se këta të tjerët. Rama dikur kur ishte intelektual kritik thoshte që duhet të hiqet PS. Drama është këtu, Meta reagon ndaj akuzave indirekte që mori” u shpreh analisti.

Analisti foli edhe për deklaratat e Ramës për SPAK:

“Ajo e Ramës ishte kërcënim për SPAK-un, që shiko që ju kemi vendosur atje për një tjetër detyrë. Gjoja sikur SPAK-u po vepron vetëm kundër nesh, vetëm PS, kundër atij këngëtari që paska hapur një dritare apo ish-zëvendës ministres, ndërsa këtu ka krime të mëdha që kanë bërë të tjerët. Ajo që thatë ju më herët me Metën këtu do të mëshojë, që këtu bëhet fjalë për krime të mëdha. SPAK-u është aty për të bërë drejtësi. Rama thotë që ata më herët s’e kanë lënë drejtësinë dhe përmendi rastin e Berishës më 21 janar. Mendimi im është që ky ishte kërcënim për SPAK-un dhe sigurisht u përdoren amerikanët. Nëse do të isha kryeministër dhe do të shihja që ato që investojnë në gradaçelat nuk i kanë paratë në banka të justifikuara do të ndërpritej çdo gjë. Nuk dika gjë ky? Që del dhe lan duar për paratë e pista. Po për atë teatrin që u prish, s’ka përgjegjësi ky?1 Këto kanë pushtetin dhe tallen me këtë shoë”, tha Lubonja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: