TIRANE-Analisti Fatos Lubonja ka komentuar situatën politike në vend, Asambleja e Partisë Socialiste, dhe aksioni i opozitës. Në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në “News24”, Lubonja ka komentuar zërat e disa ditë më parë për ndryshime në qeveri, por që nga punimet e Asamblesë nuk rezultoi diçka e tillë.

Lubonja tha se:

“Që të bësh ndryshime në Qeveri do të thotë që të kesh bërë njëfarë analize për ndonjëfarë gabimi apo përgjegjësie gjatë qeverisjes. Ndërkohë që qeverisja e rilindasve me në krye Ramën, është refuzimi i çdo lloj gabimi, përgjegjësie, korrigjimi. Atëherë pyetja është pse duheshin këto? Doli kjo nga PS si nën zë, si për të thënë se ‘shiko, ne i pranojmë ca gjëra’, apo doli nga mediat si një dëshirë e publikut. Unë nuk e di pse duhej të largohej Gjiknuri apo Ahmetaj, sepse këta ishin dy ministrat më të përfolur, ndërkohë që nuk dimë për çfarë, ku është përgjegjësia e tyre. Pastaj u tha që ata i kishin thënë diçka Ramës, dhe ai nuk i hoqi. Në rastin më të mirë do të ishte të ndryshojmë gjithçka, për të mos ndryshuar asgjë, siç thotë një fjalë e urtë”.

I pyetur a duhet të ikte Gjiknuri dhe Ahmetaj, analisti Lubonja u përgjigj:

“Për mua duhet të ikë gjithë qeveria, me gjithë kryeministër në krye. Në një vend normal kështu do ndodhte, me gjithë këto gjëra që kanë ndodhur”.

Lidhur me propozimin e PD për vettingun në politike, Lubonja ka shpjeguar pse është “kundër”.

“Ka disa probleme propozimi i opozitës. Për mua opozita e bën punën mirë deri te denoncimi i lidhjes së politikës me krimin, pastaj kur vjen puna për të bërë diagnozën e kësaj ‘sëmundje’, e më pas ‘terapinë’ ka shumë probleme. Dhe këtu jemi te një lloj terapie që sugjeron PD, vettingu i politikanëve. Nëse do të funksiononin institucionet që kemi, se ne e kemi institucionit e Kontrollit të Pasurive, dhe ne do t’i kishim pasuritë e politikanëve, por nuk ka funksionuar. Edhe ky vettingu në politikë, është si demagogji, për të gënjyer njerëzit, sepse i duhet për propagandë. Për t’i thënë Ramës ti nuk e do ligjin se je i korruptuar”, shprehet Lubonja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb