TIRANË

“Rama është nga ata hipokritët që bëjnë keq punët e mira dhe mirë punët e këqija”. Kështu mendon analisti Fatos Lubonja, i cili i ftuar në “Real Story” në News24 foli për mënyrat se si dhe sa mund ta përdorë qeveria tërmetin në favor të saj.

Ai tha se është e mjerueshme pamja që shikojmë, ku gjejmë ca njerëz gjynahqarë, që nuk na përfaqësojnë të gjithëve, njerëz që i puthin dorën, kryeministrit. Sipas tij, këto janë degraduese për popullin dhe në terma afatgjata nuk na japin besueshmëri.

Ndërkohë politologu Roland Lami thotë se jemi vonë për të modifikuar sjelljen e Ramës por se edhe opozita ka rënë në kurthin që e ka ftuar zoti Rama.
Analisti Arion Sulo është i bindur që Rama po kërkon ta shfrytëzojë tërmetin. Nga ana tjetër ai thotë se lejet e ndërtimit në Durrës janë zhdukur dhe se ish-kryetarja e bahskisë Valbona Sako dha dorëheqjen pasi i kërkoi prokurorisë të hetonte këtë gjë.

Lubonja: Unë mendoj idealisht që tërmeti ka një shkak natyror për tej anës njerëzore. Mënyra se si mund ta përdorte më mirë për të ngritur pikë duhet të ishte edhe mbajtja e përgjegjësive për aq sa ka padyshim. Rama përdori atje tek investitorët në Stamboll, ‘na e sjell Zoti që të pastrohemi nga mëkatet tona’.

Meqë na ra tërmeti të pastrohemi, të thotë kemi pasur dhe ne gabime. E para të dalin përgjegjësitë. Të dalin përgjegjësitë në strukturat, në menaxhimin, në kontrollin në gjithë ato mekanizmat që nuk kanë funksionuar. E dytë mendoj se duhet të ishte një transparencë për sa i përket çfarë dëmesh janë bërë, çfarë nevojash janë dhe si do i përdorim më mirë ato para që kemi, ato kursime që kemi.

Unë e ndoqa tek Bruno Vespa, ky shkon aty dhe thotë do marr Casamontin dhe Boerin. Tani ti je në një situatë emergjence, ke nevojë të strehosh njerëzit. Ata kërkojnë miliona vetëm për projektin. Janë arkitektë që bëjnë gjëra luksoze, që kërkojnë të kërcasin, pra nuk ka të bëjë fare me atë që bën bota për të menaxhuar situatën e një tërmeti dhe mbi të gjitha ku i ke ti specialistët shqiptarë.

Ne kemi nevojë për shumë solidaritet e dashuri në këtë moment por edhe kontribut të gjithëve. Ndërkohë që ti në vend që të bësh këtë, ti i merr të gjitha vetë dhe ky nuk fiton por humbet. Duhet të bëheshin shumë gjëra ndryshe. Por Rama është nga ata hipokritët që bëjnë keq punët e mira dhe mirë punët e këqija. Ky po bën mirë punët e këqija të na mashtrojë… ky nuk më krijon mua besim. Është e mjerueshme pamja që shikojmë, gjejmë ca njerëz gjynahqarë, nuk na përfaqësojnë të gjithëve, njerëz që aman na erdhi kryeministri, i puthin dorën, këmbën. Këto janë degraduese për popullin tim. Në terma afatgjata nuk na japin besueshmëri.

Lami: Jemi vonë për të modifikuar sjelljen e Ramës. Por unë shikoj që opozita ka rënë në kurthin që e ka ftuar zoti Rama. Gara mes tyre është kush prek më shumë emocionet e njerëzve, kush loton më shumë në raport me viktimat dhe opozita nuk ka këtë rol. Opozita duhet të merret me strukturën. Sa përgjegjësi ka e majta dhe si po lëviz struktura për menaxhimin e emergjencës. Nëse opozita do të vazhdojë me këtë kurth në fund këtë lojë e luan më mirë dhe e fiton zoti Rama.

Sulo: Që Rama po kërkon ta shfrytëzojë tërmetin, nuk ka fare dyshim. Ai po përdor fëmijët. Janë ca skena, mua ato më bëjnë të ndihem keq. Shqiptarëve të shkretë u shkon për ngushëllim dhe mendojnë që do gjejnë një zgjidhje pas kësaj fatkeqësie. Po të çosh Bufonin dhe Ronaldon, e të kujdesesh për xhupat kjo nuk ka lidhje me tërmetin. Këtu është fatkeqësia jonë si media.
Ka një lajm, që nuk është përgënjeshtruar, lejet në Durrës nuk po gjendem, janë zhdukur dokumentet. Sako ka dhënë dorëheqjen jo për gafën por për deklaratën që ka bërë që prokuroria duhet të hetojë lejet e ndërtimit, një ditë më para. Z. Dako është parë në bashki.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb