TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka reaguar pas deklaratave të bëra nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla gjatë emisionit “Njerëz në Fokus” në “News 24”, lidhur me procesin e pranimit të maturantëve në universitet. Teksa ironizon me përgjigjet e dhëna nga ministrja Nikolla pas pyetjeve të gazetarëve në panel, Ermelinda Hoxhaj dhe Mariglen Mërtiri, por edhe të maturantëve që nuk kanë rezultuar fitues, deputeti demokrat thotë se tani “u gjetën fajtorët e katrahurës së procesit”.

“Ministrja e arsimit më në fund i gjeti fajtorët “e vërtetë” të katrahurës e amullisë së procesit të pranimit në Universitete! Bravo i qoftë!

Shpëtuam, se kemi gjithë këto ditë që grindemi.
Sipas saj, fajtorët ishin vetë maturantët, të cilët i cilësoi si “të pavëmendshëm dhe të papërgjegjshëm”!!!!???

Epo Ministre më “të përgjegjshme”, nuk më kishin zënë ndonjëherë sytë e më kishin dëgjuar veshët.
Me shumë “përgjegjshmëri”, pohoi se:
– Nuk e dinte që udhëzimi 13 ishte ai që përcaktonte procedurën e regjistrimit!
– Nuk e dinte që udhëzimi 13 ishte ndryshuar para pak ditësh!
– Nuk dinte se çfarë do të ndodhte me udhëzimin pas datës 20. Do të ndryshonte apo jo?! Do shohim e do bëjmë tha për një vendimmarrje.
– Nuk e dinte se si do të mund pranoheshin maturantët që nuk kishin fituar në raundin e dytë asnjë preferencë.
– Nuk dinte si do të plotësoheshin kuotat bosh dhe pas ezaurimit të vijës së kuqe.
– Nuk dallonte degët me konkurrim.
– Nuk e dinte që “rregullat e lojës” ndryshuan. Madje këtu na preku se tek shprehja “rregullat e lojës”, na u ndal tek fjala lojë. Për të treguar “përgjegjshmërinë” e madhe, na tha që kjo nuk është lojë, është gjë shumë serioze!!! Hajde mos e beso po deshe pastaj!?
– Nuk e dinte që Ministria kishte shkelur ligjin e AL, me AKP-në. Ajo është baras me QSHA – tha, çështje emri! Ou!!! Harroi Ministrja që vetëm për emrin Arte, apo Histori arti, u dogjën në Gazetari me dhjetëra maturantë.
– Nuk dinte t’i jepte një përgjigje të vërtetë e të saktë kërkesave të maturantëve.
Shkurt nuk dinte asgjë.

Sa të lumtur do ishin maturantët dhe shumë të tjerë, sikur mos kishte dalë fare!!!!!!!”, shkruan deputeti Boçi në rrjetin social “Facebook”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb