Hyrja në shkolla dhe universitete të mira është e vështirë në shumë pjesë të botës, por në Hong-Kong presioni fillon që herët. Shpesh prindërit i trajnojnë fëmijët si të pranohen në kopshte dhe përpara kësaj në çerdhe. Yoyo Chan po përgatit një intervistë të rëndësishme që do ta ndihmojë atë të ketë sukses në jetë. Ajo është një vjeçe e gjysmë. Në moshën dyvjeçare do të hyjë në çerdhe, por konkurrenca është shumë e ashpër në Hong-Kong dhe disa nga çerdhet më prestigjioze janë përzgjedhëse. Prindërit e saj duan që ajo të jetë shumë e përgatitur për testin e saj të parë të madh.

Çerdhet dhe kopshtet më të mira shihen si një rrugë për të hyrë në shkollat më të mira fillore – që sipas besimit të prindërve hap rrugën për arsimin e mëtejshëm deri në universitet.

Kështu që më të njohurat prej tyre mund të marrin më shumë se 1000 aplikime për vetëm disa dhjetëra vende. Si rezultat, kompanitë e këshillimit për arsimin po ofrojnë tani trajnime intervistash për fëmijët e moshës fare të vogël.

Në orën e intervistës, Yoyo-s i kërkohet të përshëndesë këshilluesin dhe të prezantojë veten. Mësuesi më pas i kërkon të bëjë disa detyra, përfshirë ndërtimin e një shtëpie me tulla, vizatimin e një sendi, t’i ngjisë sytë në pozicionin e duhur një kukulle dhe të identifikojë frutat.

Pak e turpshme si fillim, Yoyo shpejt e merr veten dhe nis detyrat e ngarkuara teksa luan me lodrat.

“Këto orë mësimi dhe intervistat mund të jetë punë e vështirë”, thotë e ëma, Ema. “Por unë dua që ajo të jetë e përgatitur. Shumica e prindërve duan t’u japin fëmijëve të tyre një fillim të mbarë.”

Sipas Emës, një çerdhe kishte më shumë se 100 aplikantë për vetëm nëntë vende, ndaj, sipas saj, ajo do të bëjë ç’të jetë e mundur që t’ia rrisë vajzës mundësitë.

Vëllai më i vogël i Yoyo-s, ende një bebe, do t’i nisë orët e intervistave në pak muaj, thotë ajo.

Në një kompani mësimi, Lidhja e Talenteve të Reja të Hong-Kongut (HKYTA), 12 seanca trajnimi kushtojnë 580 dollarë, rreth një e katërta e të ardhurave mesatare mujore të një familjeje.

“Ne përpiqemi t’u mësojmë fëmijëve aktivitete muzikore, ndërsa përshtaten me aktivitetet që mbulojnë intervistat”, tha kujdestarja Teresa Fahy.

Por për t’i bërë gjërat më të ndërlikuara dhe më shkatërrimtare për nervat e prindërve – çerdhe dhe kopshte të ndryshme, kërkojnë gjëra të ndryshme.

Është e zakonshme për intervistuesit të vërejnë se si fëmijët luajnë me lodrat. Kjo jep një ide se sa të mira i kanë aftësitë motorike dhe si reagojnë me fëmijët e tjerë.

Si marrin pjesë në aktivitete në grup dhe si këndojnë apo reagojnë ndaj muzikës, do të ekzaminohet gjithashtu me kujdes. Intervistuesit flasin me fëmijët për të parë se si e shprehin veten dhe nëse bëjnë kontakt me sy.

Disa, por jo të gjithë, u kërkojnë fëmijëve të identifikojnë ngjyrat dhe format apo të shpjegojnë skena të librave me figura.

“Pyetjet e intervistuesve po bëhen gjithnjë e më të vështira”, thotë Fahy. “Kopshtet mund t’u pyesin fëmijëve pyetje të vështira, si p.sh. ‘për çfarë janë sytë’ ose ‘çfarë lloj veze është kjo?’.

Në fund të intervistës ata i japin fëmijës karamele. Fëmija duhet të marrë një dhe të thotë ‘faleminderit’. Nëse fëmija merr shumë ëmbëlsira atëherë shihet si i pangopur, ndërsa refuzimi i ëmbëlsirave konsiderohet e pasjellshme.

“Unë nuk kërkoj atë lloj njohurie, sepse këto gjëra do t’i mësojnë pasi të fillojnë me ne”, thotë një mësuese nga një kopsht dygjuhësh.

Në fakt, ndonëse prindërit mund të mos e kuptojnë, shumë intervistues i shohin prindërit më nga afër sesa fëmijën.

“Duhet ta dish se me çfarë prindërish po punon. Nëse ata kërkojnë shumë nga fëmija, është një jo prej meje”, shtoi mësuesja e kopshtit.

Mësimi për intervistën që do të jepet mund t’i ndihmojë fëmijët të mos kenë stres në ditën e madhe. Por Leung Wai-fan, drejtor në kopshtin “King Shing”, thotë se mund të jetë e qartë kur fëmija ka marrë mësime. “Ne mund ta kuptojmë kur një fëmijë është natyral ose jo. Është e lehtë t’i mësosh fëmijës se çfarë të thotë, por jo domosdoshmërish e kupton se çfarë po thotë.”

“Një fëmijë mund të mësohet të recitojë një shprehje të caktuar, por kur e pyet diçka tjetër, ai bëhet papritur i turpshëm.” Fëmijët që kanë vetëbesim marrin më shumë pikë. Të qenët i turpshëm është një disavantazh, edhe në moshën një e gjysmë.

(a.n/Shqip/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: