Nga ARBEN MALAJ

Jetojmë në kohën e revolucionit të katërt, çka nënkupton se shpejtësia e njohurive është e lartë, kërkesa për të talentuar po rritet shpejt, konkurrenca për të mirëarsimuar do të jetë e ashpër, ndërsa oferta jonë akademike vazhdon e vogël, cilësia e kërkimit shkencor e dobët, për rrjedhojë edhe aftësia konkurruese. Ne duhet të jemi të qartë për impaktin kritik që ka rritja e cilësisë së kapitalit social për të përballuar sfidat tona. Shpesh kemi dëgjuar për luftëra tregtare, për luftërat e monedhave, por në funksion të revolucionit të katërt, lufta e talenteve do të jetë një “luftë e re” e vendeve të zhvilluara ndaj vendeve në zhvillim.

Konkurrenca do të vazhdojë të jetë e pandershme, sepse shumë vende perëndimore po përdorin politika dhe incentiva të jashtëzakonshme, për t’i identifikuar, joshur dhe tërhequr talentet nga çdo vend në zhvillim. Vendi ynë, sipas indekseve ndërkombëtare, ka tregues të ulët në aftësinë për të tërhequr dhe mbajtur talentet. Sipas indeksit të konkurrencës globale 2016-2017, aftësia jonë për të mbajtur talentet është 2.7, nga 7, dhe ndodhemi në vendin e 117-të, ndër 144 vende.

Ndërsa aftësia për të thithur talentet është 2.9 dhe ndodhemi në vendin e 119-të, nga 144. Në një vend ku daljet/ikjet e talenteve janë të mëdha dhe hyrjet e talenteve janë të vogla, pa dyshim që kapitali social i domosdoshëm (sipas të gjitha teorive të rritjeve ekonomike), për të mbështetur rritjen e aftësisë sonë konkurruese varfërohet përherë. Disa prej vendeve të zhvilluara kanë politika deri “neokolonialiste” lidhur me thithjen e të talentuarve. Në periudhën kur përcaktues për zhvillim ishte krahu i punës, disa prej këtyre vendeve blinin skllevër nga vendet e pazhvilluara. Sot në kohën e revolucionit informatik, kur përcaktuese për zhvillimin dhe konkurrencën ekonomike është dija, ka një konkurrencë jo të ndershme për të talentuarit. Lufta në rritje për të talentuarit nuk mund të ndalet duke penalizuar të talentuarit, nuk ndalet duke ngritur muret; të rinjtë e talentuar kanë të drejtën të përzgjedhin. Efektet e largimit të të talentuarave mund të zbuten duke rritur ofertën e talenteve, të studiuesve të talentuar në vendet në zhvillim, duke përfshirë edhe vendin tonë.

I qëndroj bindjes se ne kemi nxënës dhe studentë të talentuar, ne kemi studiues të talentuar. Ata kanë nevojë për kujdestari në hapat e parë. Kjo duhet t’u lehtësohet me një bashkëpunim kredibël, me një mirënjohje të thellë nga ana jonë dhe studiuesve shqiptarë kudo ku ndodhen jashtë, të cilët do të marrin në mentorship një student të talentuar, dhe kërkues të rinj shkencorë të talentuar. Këta shqiptarë të talentuar jashtë duhet të bëhen pjesë institucionale e strategjive afatmesme dhe afatgjata në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor, duhet të jenë pjesë e grupeve të hartimit, monitorimit dhe rishikimit të tyre.

N.q.s. realizohet ky bashkëpunim, ata duhet të konsiderohen dhe respektohen si pjesë e ofertës sonë akademike pavarësisht se ku punojnë dhe jetojnë. Hapi i parë i domosdoshëm i vendeve të zhvilluara edhe si një detyrim ndaj investimeve tona, publike, familjare dhe individuale, është hapja e institucioneve të tyre studimore dhe qendrave kërkimore- shkencore me të njëjtat procedura lehtësuese dhe skema financimi me kosto të ulët si për çdo shtetas të tyre. Ndihmat e tjera, sipas studimeve, rezultojnë më pak efektive se investimi në rritjen e produktivitetit të kapitalit social. Na duhet që diferenca edhe numerike midis atyre që largohen dhe atyre që vijnë të jetë pozitive. Duhet që numri i kërkuesve shkencorë, i të talentuarve dhe i mirëarsimuarve sidomos në shkencat ekzakte të rritet. Kjo është akoma më kritike për vendin tonë, që sipas studimeve të BB deri në vitin 2010, 46% e popullatës sonë jetonte jashtë vendit.

Sipas raporteve ndërkombëtare që matin dhe vlerësojnë: (i) cilësinë e arsimit të nxënësve dhe studentëve tanë; (ii) aftësinë për të diplomuar kërkues shkencorë; (iii) aftësinë për t’i lidhur studimet tona me problemet reale të ekonomisë reale, aftësitë konkurruese, janë akoma të dobëta. Përmirësimi i qëndrueshëm i tyre, shndërrimi në një prioritet kombëtar kërkojnë: (i) depolitizimin në çdo institucion dhe në çdo cikël të arsimit; (ii) rritjen e rezultateve pozitive të matshme; (iii) rritjen e kredibilitetit publik në hartimin dhe implementimin e politikave strategjive, reformave, programeve dhe projekteve konkrete për arsimin në çdo cikël dhe të kërkimit shkencor në veçanti. Duhet që liria akademike e ligjit të ri të arsimit të garantohet dhe të mos cenohet nga vonesat e ngritjes dhe mosfunksionimit të institucioneve të parashikuara në ligj.

Liria akademike duhet të mos cenohet apo deformohet nga aktet nënligjore të vonuara në zbatim të ligjit të arsimit të lartë. Nuk duhet të cenohet e drejta e pacenueshme e çdo studenti për të përzgjedhur degën dhe shkollën që dëshiron, bazuar në rezultatet e tij dhe opsionet që ofron arsimi i lartë publik dhe ai jopublik. Procesi përzgjedhës duhet të jetë e drejtë e lirisë akademike të IAL dhe studentëve; kjo nuk duhet deformuar nga asnjë sistem online përzgjedhës, i cili vitin e kaluar krijoi shumë probleme të vështira. Studimet e thelluara argumentojnë një lidhje pozitive për impaktin e diasporave në zhvillimin e shkencës.

Nisur nga sfidat e ndjeshme që ka vendi ynë përballë vetes dhe përballë mureve që po nxitohet të ngrihen, është e domosdoshme të përmirësojmë rrënjësisht cilësinë e arsimimit dhe edukimit që nga niveli parashkollor deri tek ai i kërkimit shkencor. Kjo nuk është një sfidë e lehtë, por nuk është e pamundur, sepse e kanë realizuar shumë vende të tjera të cilat kanë qenë më të varfra. Por edhe kur kanë qenë në kriza, sepse ato kanë pasur themele të kulturës kombëtare, të kulturës institucionale dhe të fokusit të investimeve tek arsimimi dhe kërkimi shkencor. Revolucioni i katërt po prek shpejt zhvillimet në ekonominë globale, e cila në vetvete po shtrihet në çdo vend që ka shërbyer si konkurrues vetëm me krahun e lirë të punës.

Dështimi në objektiva sociale të jetës së përditshme të çdo individi, pra: (i) mosrritja e të ardhurave reale të disponueshme për një jetë më të mirë; (ii) mosreduktimi i varfërisë dhe jo vetëm asaj absolute; (iii) reduktimi i ngadaltë i papunësisë dhe (iv) thellimi i papunësisë, po mbështesin politika proteksioniste me synim kthimin e vendeve të punës në vendet e zhvilluara. Një politikë ekonomike për kthimin e vendeve të punës në vendet në zhvillim është ajo e luftërave tregtare, tarifave doganore apo jotarifore, ku reagimi reciprok mund ta bëjë joefektive. Strategjia e dytë është automatizimi deri në robotizim i industrive që bazohen te kostoja e ulët e krahut të punës.

Kjo e dyta synohet të stimulohet me derregullimin dhe rishikimin në ulje të tatimit të korporatave të mëdha për të riatdhesuar vendet e punës që ato kanë jashtë Amerikës. E solla këtë referencë për të qartësuar se koha ecën shumë shpejt; sfida jonë është të konkurrojmë me rritjen e produktivitetit dhe jo thjesht me koston e lirë të punës, procese që automatizohen dhe zëvendësohen lehtë. Duhet të lehtësohet rritja e ofertës për nxënësit dhe studentët tanë, duhet të reduktohet çdo vonesë në aktet nënligjore, duhet të eliminohet çdo deformim në ofertën akademike, gjithkush duhet ta fitojë vetë reputacion publik në një garë të ndershme. Pa këto ndryshime cilësore në sistemin tonë arsimor, do të jetë e vështirë që çdo ide, sado e re dhe novatore të jetë, të prodhojë efekte pozitive. Oferta jonë akademike do të vazhdojë të jetë e vogël dhe e dobët.

* Rektor i universitetit “Luarasi”, [email protected]

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb