Nga Maxim Trudolyubov-The New York Times

Thuajse çdo gjë që prek Vladimir Putin këto ditë, perceptohet nga Perëndimi si një armë, dhe thuajse çdo gjë që ai bën shihet si një sulm, shumë shpesh një sulm i suksesshëm. Kremlini mund t’i ndryshojë faktet në terren, të caktojë thuajse armë-pushime dhe të krijojë zona influence për të ushtuar trysni ndaj shteteve të tjera. Ai e ka bërë një gjë të tillë në Moldavi, Gjeorgji dhe Ukrainë, dhe tani ai po e përsërit këtë model në Siri.

Ndërkohë, Perëndimi vazhdon t’i shpallë njëri pas tjetrit sukseset e Kremlinit në mënyra që as vetë shumë rusë nuk mund t’i shohin. Nën një titull editorial “Fitorja e Putinit në Siri”, për shembull, The Wall Street Journal shtonte këtë mendim më 12 shkurt: Negociatat mund ta “ngrijnë” luftën që po zhvillohet, një taktikë që Rusia e ka përdorur në disavantazhin e saj pas pushtimit të Gjeorgjisë në 2008-n dhe marrëveshjes së vitit të kaluar të Minskut për Ukrainën Lindore”.

Nuk është vetëm me forcën e mirëfilltë që Rusia po i kthen ngjarjet në avantazhin e saj. Duke përdorur kontrollin e tij total ndaj medieve ruse të lajmeve për të përhapur rrëmujë në Perëndim, z. Putin ka arritur, sipas fjalëve të gazetarëve Peter Pomerantsev dhe Michael Weiss, të “armësojë” informacionin. Në një raport të publikuar në fund të 2014-s nga Institute of Modern Russia me qendër në Nju Jork, ata nënvizuan se si i manipulon Kremlini mediat, tensionet etnike, si dhe tregtinë dhe transaksionet financiare me jashtë, për të arritur qëllimet e veta.

Merrni shembullin e një historie të raportuar nga televizioni shtetëror rus në janar, lidhur me përdhunimin e dyshuar të një vajze gjermane me origjinë ruse nga ana e emigrantëve në Berlin. Prokurorët gjermanë thanë se dyshimet nuk u konfirmuan, dhe ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier — i cili zakonisht i mat mirë fjalët — e cilësoi këtë çështje si “propagandë.” Por mediat ruse arritën që ta frynin incidentin në përmasa të paimagjinueshme, duke shkaktuar protesta kundër emigrantëve si dhe zemëratën e rreth gjashtë milionë rusofonëve të Gjermanisë.

Moska gjithashtu ka “armësuar” krizën e emigrantëve. Shumë analistë dhe zyrtarë të qeverisë – ndërmjet tyre edhe shërbimet turke të sigurisë – bien dakord se Moska nuk pengon vetëm politikat amerikane në Lindjen e Mesme, por po shënjestron edhe ata që i percepton si armiq të Rusisë, duke krijuar qëllimisht flukse emigrantësh që kalojnë nëpërmjet Turqisë dhe më pas shkojnë në Bashkimin Europian. Strategjia e z. Putin, sikurse ka thënë së fundmi Senatori John McCain, është që “ta përkeqësojë krizën e refugjatëve dhe ta përdorë si një armë për ta përçarë aleancën trans-atlantike dhe të minojë projektin evropian”.

Për më tepër, propozimet për të ndërtuar një tjetër rrjet të furnizimit me gaz natyror po përdoret për të përçarë Bashkimin Evropian. Gjermania, Franca dhe Britania e trajtojnë projektin “Nord Stream 2” si një biznes tregtar; Polonia, Sllovakia dhe Ukraina e kundërshtojnë fort. Ato thonë se ajo do t’i mundësonte Moskës që të mos e furnizonte Europën Qendrore me gaz, do t’i linte ata pa taksat e transitit, si dhe do t’i bënte të mundur Moskës që t’ua ndërpriste atyre furnizimet pa i rrezikuar klientët e saj në Evropën Perëndimore.

Zëvendëskancelari gjerman, Sigmar Gabriel, i cili ushtron edhe funksionin e ministrit të Çështjeve Ekonomike dhe të Energjisë, ka shkuar së fundmi në Varshavë për ta nxitur projektin, edhe pse partnerja e tij në koalicionin qeverisës të Gjermanisë, Kancelarja Angela Merkel, qëndron në heshtje. Kundërshtarët argumentojnë se një tjetër gazsjellës është i panevojshëm kur “Nord Stream 1” po vepron me gjysmën e kapacitetit të tij. Brukseli nuk ka marrë ende një vendim.

Talenti i z. Putin për të përçarë, arrin deri në një lloj “prekjeje prej Mbreti Mida”. Kjo e ka bërë atë një kundërshtar të jashtëzakonshëm në luftën hibride të Rusisë të forcës dhe manipulimit, ku çdokush mund të jetë një shënjestër dhe çdo gjë mund të jetë një armë. Kjo i ka dhënë atij atë që lakmonte prej shumë kohësh: Pranimin e Perëndimit se Rusia është një forcë që nuk duhet nënvlerësuar.

“Është më e sigurt të të kenë frikë se sa të të duan” ka shkruar Makiaveli, një mendim të cilin udhëheqësi rus dhe brezat e pararendësve të tij e kanë marrë për zemër. Sikurse më ka thënë një zyrtar i lartë rus: “Ne nuk njihemi si tejet të këndshëm apo elegantë. Por kjo nuk ka problem për ne, për sa kohë që interesat tona merren parasysh seriozisht”.

Dhe kështu që Moskën nuk e do njeri por ia kanë frikën. Por duke marrë territore nga shtetet e tjera, duke trembur fqinjët dhe duke destabilizuar rivalët e tu politikë dhe ekonomikë, këto janë politika që nuk mund të zgjasin përgjithnjë. Ato mund t’i kthehen kundër Moskës.

Historikisht, udhëheqësit e Kremlinit e kanë konsideruar gjithnjë vijën e parë mbrojtëse të vendit të tyre ndaj asaj që ata e konsiderojnë si ligësinë Perëndimore, goxha përtej kufijve të Rusisë. Por Moska i ka bërë njerëzit në Perëndim të mendojnë se politikat e saj janë të motivuara nga revizionizmi agresiv, dhe jo nga mbrojtja. Suksesi i tyre është i mbushur me ironi.

Ndoshta mund të mos jetë e vërtetë se z. Putin po e nxit qëllimisht krizën e refugjatëve, ose mund të mos ketë logjikë ekonomike pas “Nord Stream 2”. Por nëse ke reputacionin se çdo gjë që prek e kthen në armë, çdo gjë që thua dhe bën mund të interpretohet si një sulm. Ti bëhesh armiku i të gjithëve. Udhëheqësit e Rusisë i kanë hyrë kaq thellë lojës së tyre të krijimit të një ambiguiteti kërcënues, sa që tani është e pamundur për ta që të bindin ndokënd se ndonjëherë rusët mund të duan thjesht të bëjnë biznes.

(d.b/Mapo/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: