Shqipëria pranohet zyrtarisht në EUROJUST. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Gjonaj tha se përmes caktimit të një prokurori në zyrën e EUROJUST në Hagë, do të rrit besimin e partnerëve në vullnetin e Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar transnacional.

““Shqipëria pranohet zyrtarisht në EUROJUST”.
Privilegj dhe kënaqësi të ndaj lajmin e mirë për hyrjen në fuqi të marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Eurojust e nënshkruar më 5 tetor 2018. Ky rezultat pozitiv vjen pas një bilanci të vlerësuar pune nga ekipi i EUROJUST, ku intesivisht u përpoqëm të plotësojmë të gjitha parakushtet e vendosura.
Falenderoj dhe i shpreh mirënjohjen presidentit të EUROJUST Ladislav Hamran, dhe komisioneres Vera Jurova, të cilët para dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes, patën besim për të na ofruar mbështetjen e nevojshme për të realizuar anëtarësimin e Shqipërisë në EUROJUST.
Kjo përgjigje pozitive është një notë e çmueshme që i takon të gjithë mundit tonë, për ta ngritur në një nivel të ri bashkëpunimin për hetimin e krimit transnacional.
Përmes caktimit të një prokurori në zyrën e EUROJUST në Hagë, ne do të rrisim më tej besimin e partnerëve tanë në vullnetin e Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar transnacional, si dhe do të garantojmë shkëmbimin në kohë të shpejtë të informacioneve të nevojshme për luftën kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht në sekuestrimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale.
Ndihem e vlerësuar si ministre e Drejtësisë, duke shënuar në kalendarin e punës sonë një tjetër datë suksesi e cila padyshim do të shërbejë si një urë e fortë lidhëse në rrugën që po shtrojmë bashkërisht drejt integrimit të plotë në familjen europiane.
Puna vazhdon, për
#DrejtësinëQëDuam⚖
# ShqipërinëQëDuam??”, shkruan Gjonaj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb