Në Republikën e Kosovës është duke vazhduar vaksinimi i të moshuarve, në Qendrën e Vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë dhe në komunat e tjera.

Gjatë fundjavës, në Qendrat e Vaksinimit në Kosovë janë vaksinuar gjithsej 10 mijë e 261 qytetarë me vaksinën anti-COVID.

Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje për Telegrafin.

Në lidhje me atë se cilat vaksina janë duke iu dhënë qytetarëve, MSH nuk ka dhënë informacione, pasi siç thonë ata në përgjigje nuk është e preferueshme të favorizohet asnjë lloj i vaksinës.

“Gjatë fundjavës janë vaksinuar 10.261 qytetarë të Kosovës me vaksinën kundër COVID-19. Bazuar në rekomandimet e EMA-së, FDA-së dhe OBSh-se nuk është e preferueshme që të favorizohet asnjë lloj i vaksinës se miratuar për përdorim nga këta organizma”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Telegrafin.

Ata theksojnë se “Në përputhje me këtë rekomandim dhe me qëllim të mbarëvajtjes së procesit të vaksinimit për momentin mund të konfirmojmë që shifra përfshin totalin e vaksinave të të dy llojeve të administruara”, thuhet në përgjigje.

Të pyetur nëse është duke u bërë vaksinimi nëpër shtëpi të të moshuarve të cilët nuk mund të shkojnë për të marr vaksinën në qendra, ata thanë se secila komunë ka të dhënat dhe ekipet mobile si në fazën e parë do të vaksinojnë këta qytetarë nëpër shtëpitë e tyre.

“Secila komunë ka të dhënat për personat e palëvizshëm, të cilët do të vaksinohen në shtëpitë e tyre përmes ekipeve mobile sikurse ka ndodhur edhe në fazën e parë”, thuhet në përgjigje.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se për të marr vaksinën antiCOVID-19 qytetarët duhet të regjistrohen në eKosova.

Ministria e Shëndetësisë në një postim në rrjetin social Facebook i ka bërë të ditur procedurat për regjistrim në eKosova.

Lexoni të plotë njoftimin:

“Të dashur qytetarë,

Për të marrë vaksinën kundër COVID-19 patjetër se duhet të REGJISTROHENI në eKosova dhe pastaj të APLIKONI për vaksinë. Sigurohuni t’i ndiqni hapat si më poshtë:

SI TË REGJISTROHEMI?

Regjistrohuni me të dhënat tuaja në https://ekosova.rks-gov.net/

Shënoni të dhënat tuaja dhe konfirmoni pëlqimin tuaj për marrjen e shërbimeve dhe pajtohuni me Politikat e Privatësisë.

Zgjedhni llojin e llogarisë: Qytetar

Ngarko dokumentet e kërkuara: Fotografinë e letërnjoftimit përpara dhe mbrapa dhe fotografinë ku shiheni ju duke e mbajtur letërnjoftimin.

Shkruani Kodin të ardhur në telefonin tuaj dhe KYQUNI në llogarinë tuaj të re.

SI TË APLIKOJ PËR VAKSINË?

Pas regjistrimit sigurohuni të shtypni HYR.

Klikoni SHËRBIMET.

Klikoni SHËNDETI.

Klikoni Aplikimi për vaksinën kundër COVID-19.

Shënoni profesionin dhe klikoni në butonin anash nëse keni sëmundje kronike.

Pas REGJISTRIMIT dhe APLIKIMIT, prisni njoftimin nga Ministria e Shëndetësisë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb