Shkrimtari Ben Blushi, në intervistën e tij në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24, ndau detaje mbi romanin e tij të fundit, Parajsa Artificiale, një vepër që ndërthur inteligjencën artificiale, konfliktet kibernetike dhe tematikën universale të dashurisë.
Blushi shpjegoi se romani trajton ndikimin e teknologjisë në jetën e përditshme, duke parashikuar një botë ku robotët dhe inteligjenca artificiale mund të zëvendësojnë rolet tradicionale si policët, mësuesit dhe gjyqtarët. “Pas 50 vitesh, mund të kemi një botë ku njerëzit do të lirohen nga punët e përditshme dhe do të fokusohen më shumë te dashuria dhe shpirti,” tha ai.
Romani gjithashtu trajton tema si luftërat tradicionale dhe konfliktet kibernetike. Blushi përmendi hakimin e Shqipërisë nga Irani, një ngjarje reale që ka frymëzuar një nga elementet e librit. “Shqipëria u sulmua për shkak të vendimit për të strehuar opozitën iraniane. Kjo ngjarje dhe pasojat e saj janë pasqyruar në roman,” tha ai.
Në libër, teknologjia dhe dashuria bashkëjetojnë në një mënyrë të veçantë. Sipas Blushit, robotët dhe inteligjenca artificiale nuk do të jenë thjesht mjete, por do të krijojnë një botë më të pastër dhe shpirtërore. “Parajsa Artificiale është një vizion për një të ardhme ku njerëzimi do të ketë më shumë kohë për artin, shpirtin dhe dashurinë,” përfundoi ai.
“Luftërat tradicionale dhe konfliktet kibernetike? Romani e ka këtë element. Përveç inteligjencës artificiale dhe ndikimet në jetën tonë, pas 50 vitesh mund të kemi robotë në vend të policëve, mund të mos ketë gjyqtarë, mund të mos ketë mësues, mund të ketë ChatGPT. Një media e madhe indiane kishte nxjerrë një statistikë që thoshte se përtej vitit 2030 se në 100 veta, 40 do ngelen pa punë… Ne u hakëruam para 2 vitesh, database-t tona përfshirë e-albania, nga Irani. Pse? Shqipëria u vetëofrua që të strehonte opozitën e Iranit. Janë 3 mijë muxhahedinë në Manzë. Amerika i hodhi në Shqipëri. Për shkak se ata në kampin e tyre siç pretendohet, hakërojnë Iranin me teknologjinë që kanë atje dhe Irani na sulmoi ne, me armë nuk na sulmon dot sepse është shumë larg… Thuhet që kanë marrë më shumë të dhëna. U bë një koncesion, policia ndërhyri atje, mori kompjuterat. Dhe ka kaluar 1 vit që Irani është qetësuar disi dhe nuk po na hakëron. Kjo është ngjarje e vërtetë. Unë e kam në libër këtë element. Biseda që bën vajza me Simon Shuterin në libër. Dhe Simon Shuteri krijon një konflikt. Simon Shuteri duhet të bënte një provë për dashurinë, sajoi një luftë, me Greqinë nuk i doli llogaria, as me Italinë, Gjermaninë dhe as me Turqinë, por me Iranin për këtë shkak. Sepse Irani dha një arsye duke hakëruar e-albania. Por si ndërthuret dashuria me teknologjinë në libër? Roboti do jetë i ngjashëm me njeriun, ndërsa inteligjenca artificiale do jetë një aplikacion. Të dyja këto do të marrin funksione nga ne siç është pastrimi i shtëpisë, ndërtimi i pallateve… Këta do bëjnë punë fizike. Por bota e tyre për t’iu kushtuar dashurisë, shpirtit dhe artit do të jetë shumë e madhe… Një botë e pastruar nga kaq shumë mëkate pas 500 vitesh. Njerëzit do t’i kushtojnë më shumë kohë dashurisë. Kjo është Parajsa Artificiale, njerëzimi do t’i kushtohet më shumë shpirtit”, u shpreh ai.
(BalkanWeb)