Luftë në tri fronte ishte ajo e djeshmja e foltores:

Në frontin e parë, duhej vijuar lufta e nisur me inkursionin në selinë e PD për të penguar PD të organizojë me qetësi Kuvendin e datës 18 Dhjetor. Prania e shumicës së delegatëve në atë kuvend, siç kanë nënshkruar deri tani, do të thotë dështim total i foltores.

Arrestimi i një peshku të madh si Lefter Koka e ndali hovin e operacionit “Patkoi” që është shtrirë në qendër dhe në bazë dhe synon të ndalë suksesin e Kuvendit të shumicës së heshtur të demokratëve më 18 Dhjetor. Për disa orë, asnjë lëvizje nuk u vu re nga foltorja, pasi alibia se Sali Berisha po targetohet për arsye politike ishte në kuotat më të ulëta të mbështetjes.

Në frontin e dytë, u luftua në media dhe social media për të manipuluar publikun se gjoja LSI e kish bërë denoncimin dhe hetimin e ngjarjes. Shumë qyqare ishte kjo përpjekje, sepse faktet janë aty, datat janë aty, konferencat, dokumentat, interpelancat e PD-së janë aty për të treguar se LSI ka hyrë vonë në këtë temë.

Të gjithë mitralierët e foltores në facebook dhe media përsërisnin pa pushim se LSI e bëri punën, jo PD, se LSI kishte bërë një hetim të thelluar, a thua ti se SPAK nuk do të bëjë hetim, se ia ka mbaruar punën LSI etj. Konkluzioni i vetëm politik që nxjerrim nga kjo përpjekje është shkrirja e foltores me LSI ende pa e formalizuar këtë bashkim.

E vërteta është se në këtë hetim kanë rol të pazëvendësueshëm jo vetëm PD dhe ngulmimi i saj 3 vjeçar për të nxjerrë në dritë të vërtetën e kësaj afere 550 milion euroshe, por edhe gazetarët investigativë si Besart Likmeta dhe rrjeti BIRN. Gazetari Artan Rama humbi vendin e punës dhe emisioni i tij u mbyll në puntatën e tij të dytë, vetëm disa orë përpara transmetimit të paralajmëruar të investigimit të vrasjes së Ardit Gjoklajt në Sharrë.

Pas disa orësh, nga foltorja dhe mediat rreth saj nisi të artikulohet teza se Lefter Koka nuk ishte peshk i madh dhe se arrestimi i tij dhe shpallja në kërkim e Mirel Mërtirit dhe Stela Gugalljas ishte bërë për në mënyrë të kontrolluar për të mbrojtur Edi Ramën dhe Erion Veliajn. Mjerimi i këtij argumenti qëndron në faktin se i konsideron 3.6 milion eurot e aferës nën hetim si peshk i vogël.

Qëllimi i kësaj përpjekjeje është i qartë: duke zbehur rëndësinë e këtij hapi të parë të drejtësisë ndaj njerëzve të korruptuar dhe të fuqishëm, foltorja synon të trimërojë përkrahësit dhe sponsorët e saj oligarkë e më gjerë që të mos ndalin luftën për pushtimin e zyrave të PD dhe politikën e faktit të kryer të pushtimit të zyrave të PD në qendër dhe rrethe.

Ndërsa publiku shqiptar e sheh këtë si një hap të parë serioz të hetimit të njerëzve të pushtetshëm, kushdo e ka kuptuar se çfarë i pret Edi Ramën, Ëngjëll Agaçin apo Erion Veliajn ditën që pushteti i tyre të mos mjaftojë për të frenuar inercinë e luftës kundër korrupsionit me sponsorizim amerikan. Nëse opinioni publik bindet se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm retorikë, por një program i madh i ShBA për të luftuar shtrirjen e influencave ruse e kineze në Europë, mbështetja për foltoren dhe trekëndëshin e Bermudës vyshket dhe fuqia e tyre manipuluese bie.

Më mirë se vetë trekëndëshi i Bermudës, këtë e dinë amerikanët që e kanë hartuar këtë strategji dhe kanë nisur ta zbatojnë, veçanërisht në Ballkan. Kush harron se arrestimet erdhën menjëherë pas vizitës së Escobar në Tiranë gjatë të cilës ai kritikoi institucionet e drejtësisë për mosveprim, është duke iu lutur Zotit që ta bëjë ëndërr. Paralajmërimet e tij se të tjerë të korruptuar në Shqipëri do të shpallen non-grata dhe asetet e tyre do të bllokohen, sigurisht që tmerrojnë shumë sponsorë nga oligarkia ekonomike, mediatike dhe kriminale e Tiranës.

Në këtë mënyrë, dita ditës fuqia manipuluese e foltores zbërdhulet dhe argumentat në favor të vendimit të Lulzim Bashës për pezullimin e Berishës nga grupi parlamentar shtohen e fuqizohen. Edhe shumë duhet të ndodhë që të gjithë amerikano-skeptikët të mos kenë më asnjë argument për të vënë në diskutim sjelljen e qeverisë amerikane. Ndoshta kjo pikë nuk do të arrihet kurrë, sepse nuk shterrojnë energjitë e neo-marksistëve për temat e studimeve kritike ndaj imperializmit dhe kolonializmit, por e vërteta nuk mund të mohohet: politika amerikane e luftës ndaj korrupsionit ka nisur të funksionojë dhe nuk e ndalin dot hilet e vogla lokale. Shpejtësinë e lëvizjes së saj nuk e përcaktojnë pazaret ballkanike por parametrat e saj teknikë.

Sigurisht që në këtë luftë me mullinjtë e erës, do të ketë edhe mjaft don-kishotë që ndjekin kalin e tyre të mungesës së shpresës ose Don Kishotin e tyre për oportunizëm dritëshkurtër. Por kjo nuk ngre peshë në kandarin e stërmadh të një mekanizmi global dhe shumica e heshtur e ka gjithnjë e më të qartë këtë.

Mitingu i 11 dhjetorit ishte klimaksi i një kryengritjeje që edhe nëse bëhet e dhunshme pas tij, e ka nga dëshpërimi, jo nga fuqia. Dhe sa më e dhunshme bëhet ajo, aq më shumë fuqi humbet dhe i fal Kuvendit të 18 Dhjetorit moralitetin e një ribashkimi të urtë dhe të qartë për të ardhmen e PD.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb