TIRANE-Qeveria Shqiptare më 1 shtator do të nis një aksion të gjerë në luftën ndaj informalitetit, ku në fokus do të jetë dhe sektori minerar, që konsiderohet mjaft problematik.

Këtë deklaratë e bëri sot, Ministri Cani gjatë një takimi të zhvilluar në veri të vendit me sipërmarrës të sektorit minerar. Gjatë takimit në Bulqizë ishin të pranishëm dhe shprehën qëndrimin e tyre edhe zv/ministri i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja si dhe drejtorët e përgjithshëm të DPT dhe DPD..

“Qeveria shqiptare është angazhuar prej kohësh në hartimin e një strategjie ndaj luftës së informalitetit dhe në 1 shtator do të fillojë zbatimi në terren i kësaj reforme, në mënyrë që të shkëputemi njëherë e mirë ndaj niveleve të papranueshme të evazionit fiskal”, tha Cani në çelje të bashkëbisedimit me sipërmarrësit e minerareve.

Duke folur për strategjinë dhe problematikën e evazionit fiskal, ministri i Finanacave sqaroi se problematikë mbetet nëndeklarimi i të ardhurave, mungesa e licencimeve, si dhe mos dhënia gjithnjë e kuponëve tatimor…etj.

Lidhur me sektorin Minerar, Ministri Cani nënvizoi se është një pjesë e rëndësishme e ekonomisë Shqiptare. “Sektori i Minierave përbën një sektor që ka qenë në fokus të politikave tona fiskale për t’u zhvilluar dhe për t’u lehtësuar nga barra fiskale (kemi ulur taksimin për përpunimin në vend, kemi ulur moshën e pensioneve për minatorët etj.). Mirëpo, shtoi ai, është e papranueshme që, në një sektor të stimuluar me politika fiskale, të privilegjuar, pasi ju është dhënë e drejta për të siguruar të ardhura nga pasuria kombëtare, të kemi nivele të larta informalitetit”, tha Cani.

Në këtë drejtim Ministri Financave sqaroi se problem mbetet deklarimi i cilësisë së ulët të mineraleve të eksportuara me qëllim që të paguhet më pak rentë në doganë. Prandaj, tha Cani, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të bëjë verifikimet për çdo rast me të gjitha vendet ku janë eksportuar mineralet tona. Do të bashkëpunojmë me ministrinë e Energjetikës për të marrë informacion mbi cilësinë e mineralit të secilit subjekt, mbi bazën e të dhënave të lejeve të shfrytëzimit sipas zonave”, theksoi Cani

Ai shtoi se faturat e shërbimeve nga jashtë që fryhen më shumë për të rritur shpenzimet është një problem i përhershëm dhe për këtë arsye do të kërkohet informacion nga vendet e origjinës së shërbimit, si dhe do të bashkëpunohet me AKBN për të marrë sinjale për shpenzime “jashtë normales””, tha Ministri Cani.

Ai sqaroi se politika të caktuara do të merren dhe për ti ardhur në ndihmë punonjësve që i deklarohet paga më e ulët.

“Do të kontrollojmë në bashkëpunim me Inspektoriatin e Punës që të mos kemi më të punësuar të pa regjistruar në këtë sektor. Do të sigurohemi se pagesat e minatorëve bëhen nëpërmjet bankave dhe, në rast nëndeklarimi, masat do të jenë të ashpra (nuk mund të tolerohet abuzimi me të punësuarit, kjo është edhe më e dhimbshme kur bëhet fjalë për djersën e minatorëve!)”, tha Cani, i cili shtoi se do verifikohet dhe Çmimi i deklaruara i eksportit, pasi rezulton shumë i ulët dhe ka dyshime se përfitohet në tarifat e mbartura”, tha Cani, duke garantuar se qeveria kërkon të inkurajojë sipërmarrjet vendase dhe ti bëjë me dije popullatës shqiptare që konkurrenca është e drejtë dhe nuk ka arbitraritet.

“Shpresoj që i gjithë sektori të formalizohet totalisht në mënyrë vullnetare dhe që, askush prej jush, të mos e verë në dyshim seriozitetin e angazhimit tonë. Nëse do e vini në dyshim do të zhgënjeheni, por tashmë jeni të lajmëruar. Uroj një zhvillim sa më modern të sektorit dhe nëse shikoni hapa që ne duhet të ndërmarrim na i sugjeroni. Ju ftoj që edhe ju të bëheni pjesë e kulturës kundër informalitetit”, mbylli fjalën e tij Cani.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: