Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Skënder Gjinushi, në intervistën e dhënë për gazetaren e News 24 Fatmira Nikolla, tha se lufta në Maqedoninë e Veriut u bë për përdorimin e gjuhës shqipe.
Gjinushi u shpreh se shqipja në RMV është gjuhë zyrtare, sipas Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës të Maqedonisë së Veriut. Kreu i Akademisë së Shkencave të vendit tonë deklaroi se nëse kërkohet ekspertizë për ligjin për të ndihmuar, atëherë Tirana ka çfarë të ndihmojë.
Gjinushi: Ajo që po ndodh në Maqedoninë e Veriut -bëhet lufta për përdorimin e gjuhës, atje ende nuk gëzojnë të drejta të plota brenda standardeve që ata jetojnë. Me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut shqipja është gjuhë zyrtare.
Në Marrëveshjen e Ohrit dhe në Kushtetutë, shqipja është gjuhë zyrtare. Nëse na kërkohet ekspertizë për ligjin për të ndihmuar, atëherë ne kemi me çfarë të ndihmojmë.
Intervista e plotë me Gjinushin
Fatmira Nikolli: Jemi me Skënder Gjinushin, kryetar i Akademisë së Shkencave, që do na shpjegojë gjithë procesin 4-vjeçar për hartimin e fjalorit…
Skënder Gjinushi: Siç dihet, një nga misionet e Akademisë së Shencave ishte që shkencat e albanologjisë të kishin një qendër të zhvillimit dhe të kultivimit të tyre. Trupa e akademikëve na dha atë kurajon për t’i dhënë rrugë, duhej financimi është një element i domosdoshëm dhe gjetëm gatishmërinë nga qeveria për ta mbështetur këtë projekt. Pas katër vjetësh fjalori ka marrë formë dhe paraqitet në formë manuali sepse ai do i drejtohet edhe publikut online për të marrë mendimin e specialistëve më gjerë për vërejtje të ndryshme siç do të vlerësojnë specialistët. Për këtë u ngrit një trupë gjuhëtarësh prej 55 bashkëpunëtorësh, 25 hartues, pothuajse u ngrit një institut virtual.
Fatmira Nikolli: Cili është rezultati i kësaj pune? A mund të flasim për risi? A mund të flasim për mënyra sesi ky fjalor mund të na ndihmojë të t’a njohur më mirë shqipen dhe pasuruar ligjërimin publik?
Skënder Gjinushi: Fjalori ka 12 mijë njësi ka 2 deri në 3-fish të njësive, fjalori i viteve ’80 ka shërbyer si një burim kryesor dhe fjalët e marra atje janë të ripunuara, janë trajtuar në mënyrë shkencore duke shtuar dhe kuptimet e reja që mund të kenë në përdorim. Fjalori është bazuar mbi një korpus fjalësh mbi 800 milionë, teknologjia e re ka bërë të mundur të punohet mbi një bazë të dhënash shumë të gjerë, janë përfshirë fjalorët e mëparshëm, janë përfshirë veprat e shkrimtarëve tanë më të njohur. Fjalori nuk bëhet vetëm njëherë, por ai mbillet dhe si një pemë do kujdesin e përhershëm. Fjalori i madh do jetë së pari online, i hapur për vërejtje. Risitë e fjalorit, janë përfshirë fjalë nga Kadare, Fishta, Camaj. Teknologjia na lejon të bëjmë ndryshime në vazhdim. Fjalori i madh i shqipes online i ndihmon të gjithëve. Studiuesit sot kanë një arsenal më të gjerë, por kanë edhe më të lehtë studimin.
Fatmira Nikolli: Fjalori do të jetë online. Përndryshe në platforma që mund të qasen përmes kompjuterit. Sa e rëndësishme është kjo në një shoqëri që duket se po i ikën librit dhe po kërkon më shumë librat në internet ose E-book?
Skënder Gjinushi: Libri është i pazëvendësueshëm, por shërbimi online është më praktik, për studiuesit është primare studimi online.
Fatmira Nikolli: Cilat kanë qenë sfidat, me të cilat është përballur grupi i punës për të arritur tek një fjalor i madh, që ka 120 mijë njësi?
Skënder Gjinushi: Sfida ka qenë që pas mungesave të shumta dhe një periudhe dështimi, sepse puna për fjalorin ka nisur që në 2006 kishim mungesa të shumta, mungonin leksikografët, kapacitetet e plota, mungonte specializimi në teknologjia për hartimin e fjalorit online.
Fatmira Nikolli: Një nga vështirësitë ka qenë ajo financiare. Për çfarë buxheti bëhet fjalë?
Skënder Gjinushi: Buxheti për fjalorin ishte rreth 400 mijë euro, kostoja ka qenë rreth 40 euro një faqe e fjalorit, Europa dha 2% të GDP për kërkimin shkencor, ne as 0.5%. Në raport me vendimet në fuqi gjuhëtarët janë paguar dyfishi, por vendimet kanë ngelur të ’97, puna shkencore ka qenë e neglizhuar. Kishim dy qëllime që të bëhej me teknologjinë e kohës dhe e dyta që cilësia e punës të ndihej vërtet që ky fjalor ka shumë risi nga fjalori i mëparshëm. Duhet kuptuar që gjuha standarde në çdo vend të botës i ngjan njërit dialekt më shumë se tjetrit, gjuha standarde nuk mund të jetë hibride dhe roli i saj nuk është diskriminimi i dialekteve, roli i saj është që të njësojë dhe që të jetë një mjet komunikimi me njëri-tjetrin. Drejtshkrimi i fjalëve nuk është çështje preference, standardi nuk është diskriminim. Përzgjedhja e fjalëve bëhet sipas rolit që kanë dhe sipas përdorimit. Fjalët e çdo dialekti merret pa asnjë rezervë por vetëm në kriter shkencor. Dialektin e mbart populli, gjuha standarde nuk bëhet për diskriminim. Leksiku i gegërishtes është pjese e fjalorit me kritere shkencore.
Fatmira Nikolli: Janë keqshfrytëzuar gjuhëtarët dhe shkencëtarët në këtë rast?
Skënder Gjinushi: Ajo që po ndodh në Maqedoninë e Veriut -bëhet lufta për përdorimin e gjuhës, atje ende nuk gëzojnë të drejta të plota brenda standardeve që ata jetojnë. Me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut shqipja është gjuhë zyrtare. Në Marrëveshjen e Ohrit dhe në Kushtetutë, shqipja është gjuhë zyrtare. Nëse na kërkohet ekspertizë për ligjin për të ndihmuar, atëherë ne kemi me çfarë të ndihmojmë.
(Balkanweb)