Banorët e qytetit të rrethuar ukrainas të Mariupol e kanë përshkruar situatën atje si “të padurueshme” dhe “thjesht ferr”.

Të enjten, të mbijetuarit filluan të dilnin nga rrënojat e teatrit ku po strehoheshin pasi u bombardua nga forcat ruse dje, sipas ish-kreut të rajonit të Donetsk. Numri i viktimave nuk dihet.

Qindra civilë mendohej se ishin strehuar në ndërtesë në mes të rrethimit të vazhdueshëm rus të qytetit bregdetar. Ndërkohë, qindra mijëra njerëz janë aktualisht të bllokuar atje dhe rreth 2,500 civilë kanë vdekur në Mariupol, vlerësojnë zyrtarët ukrainas.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov, e quajti të enjten pilotin rus që bombardoi teatrin e Mariupolit një “përbindësh”. Imazhet satelitore të gjeolokuara nga CNN tregojnë se fjala “fëmijë” ishte shkruar me shkronja të mëdha në dy anët e ndërtesës.

Forcat pushtuese po shkojnë drejt kryeqytetit Kiev. Shumica e territorit ukrainas mbetet në duart e Ukrainës, ndërsa luftimet në disa rajone vazhdojnë të jenë intensive. Kreu i rajonit Chernihiv, në verilindje të Kievit dhe afër kufirit rus, tha se qyteti Chernihiv “po pëson humbje të mëdha”.

Përpjekjet për evakuim
Nëntë korridore evakuimi që çojnë nga qytete të ndryshme të Ukrainës, përfshirë Mariupolin, janë rënë dakord për të enjten, tha qeveria ukrainase. Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se korridoret e evakuimit nuk funksionuan të mërkurën pasi ushtria ruse nuk ndaloi bombardimet.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim për situatën humanitare në Ukrainë në orën 15:00 sot.

Zelensky iu drejtua ligjvënësve gjermanë të enjten, duke tërhequr paralele midis Murit të Berlinit gjatë Luftës së Ftohtë dhe pozicionit aktual të Ukrainës jashtë Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Në fjalim, ai gjithashtu iu referua shprehimisht motos pas holokaustit: “kurrë më”. Zelensky tha: “Çdo vit politikanët thonë kurrë më. Tani e shoh që këto fjalë janë të pavlera.” Kancelari Olaf Scholz tha se NATO nuk do të rrezikojë një përshkallëzim në luftën në Ukrainë duke ndërhyrë me forcë ushtarake.

Kina shmang pyetjen për ndihmën ushtarake: Kina miratoi vërejtjet e bëra nga ambasadori i saj në Ukrainë të enjten pasi diplomati kinez premtoi mbështetjen politike dhe ekonomike të Pekinit për vendin e shkatërruar nga lufta. Por në shenjë të përpjekjes së mundshme të Pekinit për të luajtur me të dyja palët, ai nuk pranoi të thoshte nëse mbështetja e Pekinit për komentet e ambasadorit të tij do të thotë se Kina nuk do t’i ofrojë armë ose ndihmë të tjera Rusisë për të mbështetur pushtimin ushtarak në Ukrainë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb