Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev në një intervistë për mediat ruse ka folur lidhur me luftën në Ukrainë. Medvedev ka thënë se forcat ruse mund të përparojnë në Kiev ose në Lviv .

“Asgjë nuk mund të përjashtohet. Nëse duhet të shkoni në Kiev, atëherë shkoni. Nëse forcat ruse duhet të futen në Lviv atëherë duhet të nisen dhe të shkatërrojnë ukrainasit”, ka thënë ndër të tjera Medvedev.

Al Jazeera shkruan se nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë ka kritikuar SHBA-në dhe aleatët e saj të NATO-s , se është përpjekur të shkatërrojë Rusinë.

Gjithashtu ish-presidenti Medvedev deklaroi se Rusia nuk po planifikon të hyjë në një konflikt të drejtpërdrejtë me NATO-n.

Duke folur për luftën, Medvedev pretendoi se Kremlini ishte i interesuar për zgjidhjen e krizës në Ukrainë përmes bisedimeve.

Megjithatë, ai paralajmëroi se çdo përpjekje ukrainase për të marrë gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në 2014, do të ishte arsye që Rusia të përdorte “absolutisht çdo armë” kundër Kievit si përgjigje.

Në fillim të kësaj jave, Medvedev, i cili aktualisht është zëvendës-sekretar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tha për gazetarët se marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin kishin arritur në fund të të gjitha kohërave.
I pyetur nëse kërcënimi i një konflikti bërthamor ishte zbutur, ai pohoi se ai “ishte rritur”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: