Lufta e paprecedentë që ka filluar në Ukrainë, pas sulmeve të Rusisë ka tronditur opinionin publik në mbarë botën. Shumë shtete janë vendosur në krah të shtetit të Ukrainës, për ta ndihmuar atë jo vetëm me mjete logjistike ushtarake, por edhe me ndihma humanitare. Edhe në Shqipëri është ndërmarrë së fundmi një nismë në ndihmë të këtij populli. Dega e Kryqit të Kuq Berat ka ndërmarrë sot një nismë për të grumbulluar fonde që do t’i shkojnë popullit në nevojë ukrainas.

Në një tendë të ngritur në Pedonalen e qytetit, përfaqësuesit e degës së Kryqit të Kuq Berat u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë popullin e Ukrainës. Drejtoresha e degës së Kryqit të Kuq Berat Ilva Mbrica ka deklaruar se kjo nismë e ndërmarrë nga Kryqi i Kuq do të shkojë në ndihmë të drejtpërdrejtë të popullit të Ukrainës, që sot ka më shumë nevojë se asnjëherë tjetër për mbështetje. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve, bizneseve dhe personave publik që të kontribuojnë për të ndihmuar Ukrainën, ndërkohë që kanë qenë të shumtë edhe qytetarët beratas që kanë dhunë në kutinë e ndihmave kontributin e tyre.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Nismës së Kryqit të Kuq në ndihmë të popullit të Ukrainës i është bashkuar edhe dega e Kryqit të Kuq Kuçovë, e cila ka ngritur një tende në sheshin qendror të qytetit, për të grumbulluar fonde nga banorët e Kuçovës. Sekretarja e degës së Kryqit të Kuq Kuçovë, Erisilda Hoxha ka deklaruar se kanë qenë të shumtë banorët dhe biznesmenët e Kuçovës që kanë kontribuuar në ndihmë të popullit të Ukrainës. Hoxha ka deklaruar se të gjitha fondet monetare që do të grumbullohen do të hidhen në llogarinë bankare të Kryqit të Kuq në Ukrainë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb