Norvegjia ka lajmëruar se duke nisur që nga dita e martë, do të rrisë nivelin e saj të gatishmërisë ushtarake.

Autoritetet bëjnë me dije se një masë e tillë merret si një përgjigje ndaj situatës me luftën në Ukrainë.

“Rritja e nivelit të gatishmërisë nënkupton lëvizjen e më shumë personeli në detyrat operacionale dhe rritjen e rolit të forcave të mobilizimit të shpejtë”, tha qeveria.

Megjithatë, shkalla e alarmit në të cilën operon ushtria është informacion i klasifikuar dhe qeveria nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme.

“Kjo është situata më e rëndë e sigurisë në disa dekada. Nuk ka indikacione se Rusia po zgjeron luftën e saj në vende të tjera, por tensionet e shtuara na bëjnë më të ekspozuar ndaj kërcënimeve, operacioneve të inteligjencës dhe fushatave të ndikimit”, tha kryeministri Jonas Gahr Stoere.

Ndërkohë, ministri norvegjez i Mbrojtjes Bjoern Arild Gram, tha se forcat e armatosura do të shpenzojnë më pak kohë për stërvitje dhe më shumë kohë në detyra operacionale.

Norvegjia anëtare e NATO-s ndan një kufi tokësor prej afro 200 km (125 milje) me Rusinë në Arktik, si dhe një kufi të gjerë detar. Norvegjia është gjithashtu tani eksportuesi më i madh i gazit natyror në BE, duke llogaritur rreth një të katërtën e të gjitha importeve të BE-së pas një rënie të flukseve ruse.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb