Rusia paralajmëron me armë bërthamore nëse Ukraina përpiqet të marrë Kriemnë.

Çdo përpjekje ukrainase për të marrë gadishullin e Krimesë do të ishte bazë për Rusinë që të përdorte “absolutisht çdo armë” kundër Kievit si përgjigje, ka thënë ish-presidenti rus Dmitry Medvedev.

Medvedev tha se Rusia nuk po planifikonte të hynte në një konflikt të drejtpërdrejtë me NATO-n, teksa përsëriti retorikën se Kremlini ishte i interesuar të zgjidhte çështjen e Ukrainës përmes bisedimeve.

“Për sa i përket disa ofensivave serioze që përfshijnë një përpjekje për të rimarrë Krimenë, është absolutisht e qartë se kjo do të shërbejë si bazë për përdorimin e të gjitha mjeteve të mbrojtjes, përfshirë ato nga doktrina bazë e parandalimit bërthamor, kur përdorimi i çdo lloj arme kundër Rusisë përbën një kërcënim për ekzistencën e shtetit si të tillë”, tha ai në një intervistë për gazetarët.

Ai shtoi se “një përpjekje për të ndarë një pjesë të shtetit do të ishte e barabartë me një shkelje të ekzistencës së vetë shtetit”.

“Ka arsye të dukshme për përdorimin e çdo arme. Shpresoj që ‘miqtë’ tanë përtej oqeanit ta kuptojnë këtë”, paralajmëroi Medvedev. I pyetur nëse kërcënimi i një konflikti bërthamor ishte zbutur, ai pohoi se ai “ishte rritur”.

Kujtojmë që në vitin 2014, Rusia aneksoi ilegalisht Krimenë pas një referendumi të diskutueshëm, ku sipas Moskës kjo u bë për të ‘mbrojtur rusët etnikë’.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: