Shkrimtarja e njohur britanike JK Rowling, autore e serisë së famshme të shtatë romaneve me personazh kryesor adoleshentin Harry Potter, i është kundërpërgjigjur presidentit rus, Vladimir Putin, pasi ky i fundit e citoi atë në një fjalim, ku kritikoi “kulturën e anulimit” nga ana e Perëndimit, sipas BBC.

Në një takim televiziv, Putin i krahasoi kritikat e fundit ndaj autores së Harry Potter me atë me të cilën po përballen kompozitorët dhe shkrimtarët rusë.

”Çajkovski, Shostakoviçi apo Rahmaninov janë anuluar nga stinët koncertore”, deklaroi Putin, sipas ”La Repubblica”.

Si kundërpërgjigje, Rowling denoncoi pushtimin e Ukrainës, në të cilin ajo tha se Rusia “po masakronte civilët”.

Ndërkaq, Rowling është kritikuar për pikëpamjet e saj për çështjet transgjinore.

”Kritikat ndaj kulturës perëndimore të anulimit ndoshta nuk bëhen më mirë nga ata që masakrojnë civilët për krimin e rezistencës ose që burgosin dhe helmojnë kritikët e tyre”, shkroi Rowling në Twitter.

Në fjalimin e tij presidenti Putin pretendoi se kompozitorët dhe shkrimtarët rusë po diskriminoheshin.

“Ata po përpiqen të refuzojnë një vend me mijëra vite histori”, tha ai.

Disa evente kulturore me autorë rusë pro luftës janë anuluar, që kur Moska pushtoi Ukrainën muajin e kaluar.

Putin gjithashtu pretendoi, por pa dhënë prova, se kishte një diskriminim gradual ndaj gjithçkaje që lidhej me Rusinë… në një numër vendesh perëndimore.

“Ata po i ndalojnë shkrimtarët dhe librat rusë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb